Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka emëruar sot zëvendëskryeministren Edita Tahiri si drejtuese të delegacionit të Prishtinës në bisedimet me Beogradin.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë zyra e kryeministrit, përmes një njoftimi për shtyp, ku theksohet se bisedimet do të kenë si temë cështjet praktike.

“Dialogu si shtete të pavarura dhe sovrane me të gjitha vendet fqinje, përfshirë Serbinë, dhe zgjidhja e problemeve praktike në të mirë të të gjithë qytetarëve të rajonit, është vlerë dhe standard evropian”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ndërkohë, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Piter Feith ka mirëpritur emërimin e Tahirit në këtë detyrë.

“Edita Tahiri  do të jetë një përfaqësuese e përkushtuar dhe efektive e Kosovës, që do ta shfrytëzojë këtë mundësi të rëndësishme për të zgjidhur cështje me interes reciprok dhe për të përmirësuar jetën e përditshme të të gjithë qytetarëve në Kosovë”, ka deklaruar Feith.

Ndërkohë, nga Beogradi si kryenegociator është emëruar Branko Stefanovic, aktualisht koordinator politik në Ministrinë e Jashtme të Serbisë.

Ky emërim tregon se Beogradi vlerëson se bisedimet nuk kanë përse të bëhen në nivel më të lartë, pasi Serbia e konsideron kosovën pjesë të sajën.

Top Channel