Kosova zgjodhi institucionet e saj, por jo gjithçka shkoi ashtu siç duhej, të paktën jo gjatë zgjedhjes së presidentit të vendit.

Për herë të parë u vunë në pah përplasjet ndërmjet anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, ndërkaq që po për herë të parë faktohet ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar në çështjet madhore për Kosovën siç është presioni për të votuar pro zgjedhjes së Behgjet Pacollit president.

Proçesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës u zhvillua në tri raunde. Ndërsa në sallën e Kuvendit po qëndronin vetëm deputetet e pozitës, në dy raundet e para zoti Pacolli me votat që po merrte nuk ishte i afrohej aspak postit të presidentit të Kosovës.

Një pauzë e shkurtër të cilën kryetari i Kuvendit e cilësoi jo kushtetuese duket se ndryshoi gjithçka.

Kryeministri Thaçi mblodhi deputetët e tij për atë që u quajt konsultë partiake. Në këtë kohë kishin filluar dilemat e vetë Behgjet Pacollit i cili priste në seancën e Kuvendit.

Ai ishte në dilemë të tërhiqej në raundin e tretë apo të provokonte zgjedhjet e jashtëzakonshme duke hyrë pa numër të mjaftueshëm votash në raundin e tretë.

Konsulta e kryeministrit Thaçi me deputetët e tij pason një shkëmbim mesazhesh mes ambasadorit amerikan Christopher Dell, kandidatit për president Behgjet Pacollit dhe këshilltarit të jashtëm të zotit Pacolli.

Mesazhe telefonike të regjistruarara nga kamerat televizive dhe të faktuara nga fotoreporterët kosovarë tregojnë më së miri se si Behgjet Pacolli pak minuta para se të niste votimi në raundin e tretë merr garancinë nga Christopher Dell se në raundin e tretë do të përfundojë gjithçka.

Në mesazhin që Chris Dell ia dërgon Behgjet Pacollit shkruan se Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj, pra dy kundërshtarët e Pacollit janë kërcënuar dhe gjithçka do të përfundojë mirë.

Behgjet Pacolli u zgjodh në raundin e tretë. Por nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj e deklaroi votën e tij kundër dhe mohoi kërcënimet nga ndërkombëtarët.

Por ndryshe nga Chris Dell ish ambasadori i Anglisë, Andy Sparks la sallën e Kuvendit shumë më herët.

Ndërsa ishte opozita kosovare ajo që e kundërshtoi shumë ashpër mënyrën e  zgjedhjes së kreut të AKR-së president, duke e konsideruar atë si jo të denjë për t’i përfaqësuar qytetarët e Kosovës.

Pas marrjes së detyrës së presidentit, Behgjet Pacolli nuk u paraqit para gazetarëve.

Ai duket se kishte harruar se stafi me të cilin punon ishin përgatitur për t’ja uruar ndërkaq kjo buqetë me lule nuk dihet se ku mund të përfundojë.

Por në rrugët e Prishtinës ka filluar festa e simpatizantëve të AKR-së dhe kreut të saj, Behgjet Pacolli i cili për pesë vjet do të jetë president i Kosovës.

Top Channel