Diktatori libian, Muammar Gaddafi, është duke luftuar që të marrë kontrollin e Tripolit dhe të qyteteve të mëdha në lindjen e vendit, të cilat kanë rënë tërësisht në duart e protestuesve të entuziasmuar. (UPDATE)
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, mbështetës të armatosur të Gaddafi-t patrullojnë në rrugët e shkretuara të kryeqytetit, por shkëmbimi i vazhdueshëm i zjarrit tregon se ka ende lëvizje rebeluese në Tripoli.
Qyteti i dytë dhe i tretë më i madh në vend, Benghazi dhe Al-Bajda, të ndodhur në lindje të Libisë, raportohet të jenë tërësisht në duar të protestuesve, ndërsa revoltat po shpërthejnë edhe pranë Tripolit, në qytetet e Misuratës, Sabrathës dhe Zavijës.
Në qytetet lindore, janë mbajtur festime, me bindjen se trupat e Gaddafi-t nuk do të kthehen më kurrë dhe se një regjim i ri demokratik është shumë pranë instalimit në vend.
Ndërkohë, me dhjetëra mijëra të huaj janë larguar nga Libi me urgjencë, ndërsa disa media përflasin më shumë se 1 mijë viktima në protestat antiqeveritare.
Ndërkohë, Perëndimi i frikësohet një eksodi biblik, që mund të sjellë me mijëra vetë në dyert e Italisë dhe Europës.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini, duke folur përpara Parlamentit Italian gjatë mëngjesit të sotëm, tha: “Nëse Libia do të përfshihet në kaos, nëse sistemi do të rrëzohet, mund të përballemi me një alarm të vërtetë emigracioni”.
“Këtu flasim për të paktën 300-350 mijë emigrantë, të cilët do të përpiqen të arrijnë në territorin italian, për t’u shpërndarë më pas në Europë, edhe pse është e qartë që shumica do të tentojnë të mbeten në Itali”, deklaroi Frattini.
Ndërkohë, e bija e Gaddafi, Aisha, ndodhej mes 14 personave në bordin e një avioni të cilit iu ndalua të ulej në Maltë.
Kulla e kontrollit mohoi menjëherë autorizimin dhe kontaktoi përfaqësuesit e qeverisë, si dhe ambasadorin libik në Maltë.
Ky i fundit shkoi personalisht në vendin e ngjarjes dhe piloti i avionit i komunikoi se në bord ndodhej edhe Aisha Gaddafi.
Top Channel