Kosovë, opozita padi zgjedhjes së Pacollit

23/02/2011 17:50

Sms-të e ambasadorit amerikan Christopher Dell për zgjedhjen e Behgjet Pacollit si president kanë shkaktuar një furtunë të vërtetë në Kosovë.

Partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka njoftuar sot se do t’i
drejtohet së shpejti Gjykatës Kushtetuese për t’i kërkuar një vlerësim
mbi mënyrën e zgjedhjes së presidentit të Kosovës në seancën e djeshme
parlamentare.

“Ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Kosovës i kanë dhënë një hije të keqe jo vetëm këtij institucioni, por edhe asaj për të cilën kemi luftuar dhe punuar deri më sot”, ka deklaruar përfaqësuesi i AAK, Ahmet Isufi.

Ai ka nënvizuar se me votimin e djeshëm është dhunuar kushtetueshmëria e Kuvendit të Kosovës dhe ka theksuar se, “AAK s’do lejojë ngritjen e një diktature”.

Të njëjtën gjë ka paralajmëruar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila e ka cilësuar si ilegjitime dhe jokushtetuese zgjedhjen president të Behxhet Pacollit.

“LDK, institucionet e dala nga votimi i djeshëm i konsideron ilegjitime. Ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar mendimin e saj nëse është shkelur ose jo Kushtetuta”, ka deklaruar zëdhënësi i LDK-së, Kujtim Shala.

Top Channel