Teatri Kombëtar i Komedisë, a duhet krijuar?

22/02/2011 19:15

Dy rryma të kundërta, ato që mbështesin dhe ato që kundërshtojnë krijimin e Teatrit Kombëtar të Komedisë, u pasqyruan sot në emisionin e pasdites në Top Channel.

Humori është pjellë e mendjeve të zgjuara, ndërsa iniciativa tipar i njerëzve
të guximshëm.

Krijimi i Teatrit Kombetar të Komedisë, në zbatim të Ligjit për Artin dhe Kulturen, e ka ndarë komunitetin e artistëve në dy kampe, në atë që e përkrah këtë institucion të ri dhe në ata që e shohin si një tendencë për dobësimin e Teatrit Kombëtar.

”Nuk do të jetë një dublim i Teatrit Kombëtar, i cili gjithashtu merret me komedinë, por ky Teatër i ri do të ketë një sferë veprimi shumë më të gjerë”, thotë Sulejman Dibra, ndërsa kundërshtarët e idesë vazhdojnë të pyesin se përse është i domosdoshëm krijimi i tij.

Ilir Bezhani, Mihallaq Luarasi dhe Kastriot Çipi janë emrat e përfolur si drejtues të ardhshem të këtij Teatri. Ajo që dihet ekzaktësisht është se struktura e re do të përbëhet nga 22 deri në 25 persona dhe do t`i bashkangjitet Teatrit Kombëtar, duke i marrë edhe gjysmat e hapesirave.

Ajo që aktualisht ështe salla e vogël e Teatrit Kombëtar, së shpejti do të quhet Teatri Kombëtar i Komedisë.

”Stafi do të jetë sa 1/3 e Teatrit Kombëtar, sepse është e nevojshme që të jenë edhe ata ndihmës e rregullues të skenës, që do të bënin të mundur funksionimin normal të skenës.

Kjo është e detyrueshme, pasi do të merret në administrim një sallë, e cila do të funksionojë në mënyrë të pavarur nga Teatri Kombëtar”, thotë Kastriot Çipi.

Edhe pse nuk është zyrtarizuar fondi që do të akordohet nga shteti e që do të
miratohet nga Qëndra Kombëtare e Artit dhe Kulturës për Tetrin Kombëtar të
Komedisë, duket se kandidatët për drejtues, në platformat e tyre e kanë parë me kujdes këtë aspekt.

”Nuk besoj se Teatri Kombëtar i Komedisë do të ketë një buxhet më të madh se sa ai i Teatrit Kombëtar, madje s’ka për të qenë as sa gjysma e tij. Kjo të detyron të bësh operacione të tjera, të jesh më agresiv dhe dinamik në përbërjen e stafit.

Kjo do të bëjë që të formohet një koncept i pagës, i tillë që të gjithë të paguhen ekzaktësisht për aq sa punojnë dhe për atë që bëjnë”, vazhdon Çipi.

Repertori i teatrit do t`i besohet penave shqiptare. Teatri Kombëtar i Komedisë,
në sfidë me institucionin e tij mëmë, do të vendosë në skenë komedi të
dramaturgëve shqiptarë, me synim nxitjen e tyre, veçmas konkurseve që
janë organizuar deri tani.

”Me ligj janë përcaktuar edhe detyrat që do të kenë institucionet, midis të tyre edhe Teatri Kombëtar i Komedisë. Do ta ketë të detyrueshme të përkrahë dramaturgjinë shqiptare, duhet t’i krijojë asaj një hapësirë të veçantë.

Kjo do të thotë se drama shqiptare nuk mund të vihet në një plan me dramën e huaj dhe si rrjedhojë, edhe ato punime që mbase nuk do të jenë të nivelit më të lartë, do të ripunohen, me synim ngritjen e tyre në nivelin e duhur”, shton Çipi.

Ndërsa vendimi për ngritjen e Teatrit të Komedisë është marrë prej 11 ditesh,
debatet që kanë përfshirë komunitetin e dramaturgjisë shqiptare janë konceptuale dhe teknike.

Shkrirja e Estradës së Tiranës, disa vite më parë, detyroi artistët të kërkonin në prill të vitit të kaluar hapjen e Teatrit të Komedisë. Por, cila është vështirësia e parë
pas marrjes së këtij vendimi?

”Vështirësia më e madhe është ajo e gjetjes së drejtuesit dhe manaxherit”, thotë Sulejman Dibra. “Nuk duhet menduar se shteti tani do të hapë thesin dhe do të financojë Teatrin.

Shteti do të interesohet për projektet, për aktorët… Unë jam i mendimit se këtë punë nuk mund ta bëjë shteti, por vetëm një bord drejtuesish, të cilët do të jetojnë çdo ditë me punën e Teatrit Kombëtar të Komedisë.

Duhet të gjenden njerëz që këto para që do të japë shteti, të jenë në gjendje t’i manaxhojnë në mënyrë të shkëlqyer”.

Hamendësite nuk gabojnë. Në platformen e tij, Kastriot Çipi parashikon që me
kalimin e kohës, selia e Teatrit Kombetar t`i mbetet Teatrit të Komedisë, ndërsa
teatri ekzistues të shkojë tek selia e Kuvendit.

”Shpirti i teatrit është tek shpirti i atyre që kanë hyrë dhe kanë dalë në atë skenë. Teatri Kombëtar këtë e ka, e ka të shënuar në secilën dërrasë.

Ekziston një plan për të investuar një milion dollarë për rregullimin e skenës dhe ambienteve. Mendoj se kjo do të ishte mëse e mjaftueshme dhe shumë më e logjikshme se shpenzimi i shumave shumë më të mëdha dhe joreale, për të zhvendosur në salla të tjera të reja.

Për më tepër, asnjë sallë e re nuk do të kishte shpirtin e këtij teatri. Me kalimin e Teatrit Kombëtar në sallën e parlamentit, mendoj se çështja e mungesës së ambienteve do të zgjidhej përfundimisht”, përfundoi Kastriot Çipi.

A është ky një hap i matur? A ishte e nevojshme të ndërtonim një teatër të posaçëm për komeditë ndërkohë që këtë rol e plotësonte deri tani Teatri Kombëtar? Debatet duket se do të vazhdojnë gjatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA