Dështon në Kuvendin e Kosovës raundi i parë për votimin e kreut të AKR-së, Behgjet Pacollit si president i Republikës. Nga 67 të pranishëm në sallë, 54 kanë votuar pro, 11 kundër dhe 2 vota kanë qenë të pavlefshme.

Opozita është shprehur kundër zgjedhjes së tij, duke braktisur seancën para fillimit të votimit.

“Vetëvendosje” e ka cilësuar Pacollin si një njeri të papërshtatshëm për këtë post, ndërkohë AAK ka theksuar se zgjedhja e tij nuk është në interes të vendit.

“Nuk do ta votojmë Pacollin, pasi është i papërshtatshëm për atë post. Ai si kryetar i AKR-së ka qenë i pranishëm në të gjitha momentet kur ky Kuvend votonte ligjet e Ahtisarit. Në asnjë moment ai dhe partia e tij nuk kanë kryer rolin si opozitë, por kanë qenë gjithnjë në mbështetje të qeverisë së Hashim Thaçit”, tha deputeti i “Vetëvendosje”, Isa Imeri.

“Zgjedhja e tij bie në kundërshtim të plotë me, përpjekjet për bashkim kombëtar. Ne do dalim nga salla dhe nuk do të jemi të pranishëm në këtë votim”, deklaroi deputeti i “Vetëvendosje”, Liburn Aliu.

“Nuk do të marrim pjesë as për zgjedhjen e qeverisë dhe as për presidentin. Nuk është në interes të vendit që Pacolli të jetë kryetar i vendit. Ne nuk do të jemi dëshmitarë të një marrëveshjeje dhe një qeverisjeje të tillë”, deklaroi deputeti i AAK-së, Ardian Gjini.

“Të mos marrim një vendim për të cilin do na duhej të pendoheshim”, theksoi Agim Kuleta, deputet i Lëvizjes për Bashkim.

Në këto momente ka filluar raundi i dytë i votimit.

Për të zgjedhur kreun e shtetit duhet që kandidati për president të marrë 81 vota në dy raundet e para dhe nëse kjo nuk arrihet, duhen 61 vota në raundin e tretë.

Top Channel