Palestrat dhe sallonet, “tempujt” e të rinjve

22/02/2011 18:35

Palestrat e forcës dhe sallonet e bukurisë, të konsideruar nga të rinjtë shqiptarë si “tempuj” të arritjes së linjave perfekte, u vizituan nga emisioni i pasdites në Top Channel.

Pasja e një fiziku sa më perfekt është një objektiv gjithmonë e më i rëndësishëm për të rinjtë e sotëm, por bukuria në koncept, nuk është më e lindur. Ajo është shndërruar në një rezultat që duhet arritur nëpërmjet punës.

Artela është një prej shumë vajzave që vlerëson se imazhi është një nga gjërat kryesore për të cilat një femër duhet të kujdeset.

”Normalisht, si çdo femër, edhe unë kujdesem shumë për imazhin tim të jashëm. Dukesh më e rregullt kur flokët janë të rregulluar. Normalisht, nëse nuk je e rregulluar, nuk mund të dalësh jashtë”, thotë Artela.

Artelën e gjejmë në sallonin e bukurisë, në të cilin shkon dy deri në tre herë në javë. Sipas saj është e mjaftueshme për një femër që kaq herë të frekuentojë një sallon bukurie për t’u kujdesur për pamjen e saj të jashtme.

Parukierja e quajtur Evis tregon se përgjithësisht, femrat në moshën e adoleshencës janë ato që interesohen më së shumti për të pasur një look të ndryshëm çdo ditë.

”Është brezi i të rejave dhe ai i mesmi që frekuentojnë më shumë sallonet e bukurisë. Normalisht, duhet të ishte brezi i tretë, por mesa duket, janë të rinjtë që janë më shumë në kontakt me tendencat e kohës dhe aktualitetin”, thotë Evisi.

Sipas parukieres, shpeshherë, vajzat e reja nuk e marrin në konsideratë se trajtimi i fytyrës apo i flokëve me disa lloj elementësh kimikë është shumë i dëmshëm për to. Ajo thotë se adoleshentet janë të interesuara vetëm për të pasur një imazh sa më tërheqës.

”Dëmtimet varen shumë nga produkti. Nëse trajtimi bëhet nëpërmjet përbërsve bimore, artëherë nuk ka përse të dëmtojë, por nëse ai është i pakontrolluar, është e qartë që mund të sjellë dëmtime serioze për lëkurën dhe fytyrën”.

Nga ana tjetër, meshkujt, për të rënë gjithmonë e më shumë në sy të femrave, kanë zgjedhur të investojnë në fizikun e tyre. Bruno është një nga shumë të rinj që prej vitesh shkon në palestër për të mbajtur trupin në një formë sa më të mirë.

”Palestrën e kam nisur që në moshën 15-vjeçare dhe më ka ndihmuar që të zhvillohem si duhet, sepse atëherë kam qenë pak i shkurtër dhe i dobët”, thotë Bruno.

Për të, palestra është kthyer në një rutinë ditore. Një pjesë shumë të madhe të kohës ai e harxhon mes pajisjeve të hekurta që të ndihmojnë të nxjerrësh në pah muskujt. Më shumë se dëshirë, ndonjëherë palestra është kthyer në një domosdoshmëri psikologjike për Brunon.

”Palestra më është shndërruar në një mënyrë jetese të cilën nuk mund t’a shmang. Nëse nuk stërvitem, atëherë më duket sikur më kalbet trupi dhe këtë nuk mund t’a përballoj”, shton Bruno.

Mania për të patur një imazh sa më të bukur është një element i kulturës ekzibicioniste të ditëve tona. Ky fenomen sociologjik nuk e ka anashkaluar sjelljen e shoqërisë edhe në Shqipëri.

Socilogu Gëzim Tushi thotë se kjo gjë është nxitur kryesisht nga televizioni dhe moda. Sipas tij, dëshira për të pasur çdo ditë një pamje ndryshe është kthyer në një përpjekje për të konfirmuar identitetin.

”Duke qenë se vijmë nga një sistem ku të gjithë kanë qenë të barabartë, tani është normale që të gjithë të përpiqen të krijojnë një identitet të tyrin personal”, thotë Tushi.

Socilogët ngrejnë shqetësimin se një pjesë e madhe e sulmit për individualitet po dëmton në radhë të parë njeriun. Zoti Tushi thotë se në këtë mënyrë prishet sistemi i vlerave dhe i konkurrueshmërisë së çdo personi dhe gjithë vëmendja përqendrohet tek pamja e jashtme.

”Nuk ka ndonjë gjë të keqe të kujdesesh për imazhin, por ajo që më shqetëson është rendja gjithmonë e më e madhe pas salloneve të bukurisë.

Unë do t’a konsideroja si një epidemi sociale, e cila është duke dëmtuar vlerat kryesore të njeriut”, deklaroi sociologu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA