Behgjet Pacoli është zgjedhur president i Kosovës, pas raundit të tretë të votimit, duke marrë 62 vota pro, 4 kundër dhe 1 votë të pavlefshme. Pas votimit, presidenti i ri i Republikës së Kosovës ka kryer betimin dhe ka mbajtur fjalimin e radhës.

“Betohem se të tërë fuqinë time do ja kushtoj ruajtjes së sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës, respektimit dhe mbrojtjes së ligjeve. Me ndërgjegje dhe përgjegjësi do të kryej të gjitha betimet e mia! Betohem!”, është betuar presidenti i ri.

“Të dashur qytetarë sot ndihem i përulur para jush dhe nuk më mjafton fjala për të përshkruar këtë moment… Kosova po ballafaqohet me sfida, ato janë të shumta. Përpjekjet e kosovarëve për një të ardhme më të mirë janë një vyrtyt dhe jo dobësi. Përpjekjet për një Kosovë ndryshe duhet të trajtohen si vyrtyt dhe domosodoshmëri”, tha Pacolli.

Dy votimet e para për zgjedhjen e kreut të AKR-së në krye të vendit dështuan për shkak të mosarritjes së numrit të nevojshëm të votave.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës për të zgjedhur kreun e vendit duhet që kandidati për president të marrë 81 vota në dy raundet e para dhe nëse kjo nuk arrihet, duhen 61 vota në raundin e tretë.

Opozita është shprehur kundër zgjedhjes së Pacollit, duke braktisur seancën para fillimit të votimit.

“Vetëvendosje” e ka cilësuar Pacollin si një njeri të papërshtatshëm për këtë post, ndërkohë AAK ka theksuar se zgjedhja e tij nuk është në interes të vendit.

“Nuk do ta votojmë Pacollin, pasi është i papërshtatshëm për atë post. Ai si kryetar i AKR-së ka qenë i pranishëm në të gjitha momentet kur ky Kuvend votonte ligjet e Ahtisarit. Në asnjë moment ai dhe partia e tij nuk kanë kryer rolin si opozitë, por kanë qenë gjithnjë në mbështetje të qeverisë së Hashim Thaçit”, tha deputeti i “Vetëvendosje”, Isa Imeri.

“Zgjedhja e tij bie në kundërshtim të plotë me, përpjekjet për bashkim kombëtar. Ne do dalim nga salla dhe nuk do të jemi të pranishëm në këtë votim”, deklaroi deputeti i “Vetëvendosje”, Liburn Aliu.

“Nuk do të marrim pjesë as për zgjedhjen e qeverisë dhe as për presidentin. Nuk është në interes të vendit që Pacolli të jetë kryetar i vendit. Ne nuk do të jemi dëshmitarë të një marrëveshjeje dhe një qeverisjeje të tillë”, deklaroi deputeti i AAK-së, Ardian Gjini.

“Të mos marrim një vendim për të cilin do na duhej të pendoheshim”, theksoi Agim Kuleta, deputet i Lëvizjes për Bashkim.

Top Channel