Burime nga Partia Demokratike e Kosovës, kanë treguar për Top Channel përbërjen e re të Qeverisë së Kosovës, më saktësisht emrat e ministrave që vijnë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Sipas këtyre burimeve, që duan të mbesin në anonimat, Hajredin Kuçi do të vazhdojë të mbajë postin e zëvëndëskryeministrit të Kosovës, por do të drejtojë edhe Ministrinë e Drejtësisë. Bajram Rexhepi do të vazhdojë të mbajë postin e ministrit të Punëve të Brendshme, të cilin e ka aktualisht. Ndërsa, Vlora Çitaku, e cila gjatë mandatit të kaluar të Qeverisë Thaçi ishte zëvëndës/ministre e Punëve të Jashtme, në përbërjen e re, do të drejtojë këtë dikaster. Ramë Buja do të drejtohë Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilën deri më tani e drejtonte Enver Hoxhaj, pasi ky i fundit do të jetë Ministër i Integrimeve Europiane.

Kurse, në vend të Fatmir Limajt, i cili drejtonte Ministrinë e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, do të emërohet Fehmi Mujota, që drejtonte Ministrinë e FSK-së.

Zëdhënësi i deritanishëm i qeverisë, Memli Krasniqit, i është besuar posti ministror i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, ndërsa, Blerand Stavileci do të vazhdojë të drejtojë Ministrinë e Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural, dikaster të cilin e drejton prej disa kohë.

Po, sipas këtyre burimeve, kjo listë pritet të zyrtarizohet gjatë ditës së martë, nga i mandatuari për formimin e qeverisë, Hashim Thaçi.  
 

Top Channel