Jakup Krasniqi u rizgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës. Pas ceremonisë së betimit, deputetët e legjislaturës së katërt të Kuvendit të Republikës së Kosovës e zgjodhën Krasniqin me 90 vota pro, 17 kundër dhe 3 abstenime.

Kurse nënkryetarë u zgjodhën Xhavit Haliti nga PDK, nga LDK-ja Sabri Hamiti dhe nga Vetëvendosje Glauk Konjufca.

Sikurse është pritur, lëvizja Vetëvendosje votoi kundër zgjedhjes së Krasniqit për kryetar të Kuvendit.

Kjo për shkak se, sic tha shefi i grupit parlamentar Visar Ymeri, Jakup Krasniqi është një nga politikanët kosovarë i cili i ka dhënë udhë zbatimit të procesit të decentralizimit në kohën kur ishte ministër i Shërbimeve Publike në vitin 2004. Ndërsa betimin e bënë para falmurit kuqezi.

Po ashtu, deputetët kanë zgjedhur edhe dy nënkryetarët nga komunitetet pakicë, nga komuniteti serb dhe nga komuniteti turk.

Më tej, kryesia e Kuvendit u mblodh në një mbledhje ku vendosi të mos e mbante sot seancën për votimin e qeverisë së re dhe të presidentit.

Sipas Krasniqit, kërkesat për ta futur këtë cështje në rend dite kanë qenë të paarsyetura. Ai shtoi se ka tri ditë kohë për të mbajtur seancën e radhës në bazë të një kërkese të re.

Ndërkohë, nënkryetari i Partisë Demokratike, Fatmir Limaj, në një konferencë për shtyp bëri të ditur se nuk do të jetë pjesë e kabinetit të ri qeveritar derisa të përfundojnë hetimet e EULEX-it.

Ai deklaroi se do të votojë qeverinë edhe nëse ajo përbëhet nga njerëz që kanë punuar për ish-shërbimin sekret të Jugosllavisë, pasi sic tha Limaj, kjo është përgjegjësi e Hashim Thacit.

Top Channel