Deputetët e rinj të Kuvendit të Republikës së Kosovës të zgjedhur në zgjedhjet e 12 dhjetorit të hënën pritet të bëjnë betimin e tyre.
Konstituimi i Kuvendit të ri, pritet të zgjedhë qeverinë dhe presidentin e shtetit. Prurjet e emrave të rinj në Kuvend, duket se do të prishin qetësinë e legjislativit krahasuar me vitet e shkuara.
Albin Kurti, Florin Krasniqi, Daut Haradinaj, Blerim Shala, Ramiz Kelmendi, deputetja serbe Rada Trajkoviç e shumë të tjerë, pritet të jenë zëra të fuqishëm në foltoren e Kuvendit.
Por, kush janë dhe nga cilat parti vijnë 120 deputetët e Kuvendit?
Partia Demokratike e Hashim Thaçit do të ketë 34 deputetë. Lidhja Demokratike e Isa Mustafës me 27. Partia me e re dhe e treat, sipas votave, është ajo “Vetëvendosje” me gjithsej 14 deputetë. Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt do të ketë 12 deputetë. Koalicioni AKR-PD-PSD do të këtë 8 deputetë. Partia më e madhe serbe SLS me 8 deputetë dhe 17 deputetë nga partitë tjera serbe dhe pakicave të tjera.
Partia e vetme që futet tërësisht me emra të rinj është “Vetëvendosja”, e cila për herë të parë bëhet pjesë e Kuvendit.
PDK-ja e z.Thaçi në mesin e 34 deputetëve do të ketë rreth 15 deputetë të rinj si Besim Beqaj, Azem Syla, Shaip Muja, Bedri Hamza, Blerta Deliu etj.
Ndërkohë jashtë parlamentit kanë mbetur deputet si Gani Koçi, Bahri Hyseni, Nait Hasani, Rrustem Mustafa, Hydajet Hyseni e disa të tjerë.
Edhe në LDK- në e Isa Mustafës do të ketë ndryshime të mëdha. Gati dy të tretat e legjislaturës së ardhshme do të përbëhet me parlamentarë të rinj. Jashtë parlamentit nga LDK, kanë mbetur 8 deputetë.
Emra të rinj të parlamentarëve do të sjellë edhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit. Përveç liderit të partisë, pjesë e grupit parlamentar pritet të jenë Ferid Agani, ish-kryeministri Agim Çeku, Muhamet Mustafa, Mimoza Kusari Lila, Ibrahim Makolli, Myzejene Selmani etj.
Zgjedhjet e 12 dhjetorit kanë pasur me ndryshimin e deputetëve edhe në partinë e Ramush Haradinajt. Naim Maloku, Haki Shatri, Shkumbin Demaliaj, Zylfie Hundozi, Ibrahim Selmanaj dhe dy të ikurit me herët Bujar Dugolli dhe Bajram Kosumi nuk do të jenë më pjesë e Kuvendit.
Ndërsa emrat e rinj janë lideri i partisë, Ramush Haradinaj i cili ka hequr dorë nga ky post për shkak të proçesit të Hagës.
Më pas i vëllai i tij Dauti Haradinaj, nënkryetari Blerim Shala, Ramiz Kelmendi, dhe kryesuesi i “Listës Rugova”, Ukë Rugova i cili po ashtu, pritet të jetë pjesë e qeverisë së Kosovës.
Top Channel