Vendimi i qeverisë për ngritjen e kishës në Kalanë e Shkupit do të hidhet në Gjykatën Kushtetuese. Këtë iniciativë e ka marrë lëvizja qytetare ‘Zgjohu’.

Drejtuesit e saj thonë se besimi dhe shteti janë të ndarë me Kushtetutë, ndaj ata vlerësojnë se ngritja e objekteve të kultit me mjete buxhetore është anti-kushtetuese.

“Ne nuk jemi kundër ndërtimit të kishave dhe xhamive, por jemi kundër ndërtimit të objekteve të kultit me mjete buxhetore që është praktikë jokushtetuese e qeverisë dhe kundër vënies në përdorim të fesë, trashëgimisë dhe kulturës etnike për të nxitur mosdurimin midis komuniteteve dhe feve”, deklaroi Teuta Zllatku, lëvizja “Zgjohu”.

Përfaqësuesit e “Zgjohut” u kanë bërë thirrje përkrahësve të tyre të mos dalin në tubimin e ditës së shtunë të paralajmëruar nga disa nacionalistë maqedonas.

Nëpërmjet rrjetit “FB”, një pjesë e huliganëve maqedonas po organizohen për një tubim masiv për t’i dhënë mbështetje ngritjes së kishës në Kalanë e Shkupit.

Ata kanë paralajmëruar se të shtunën do t’i masakrojnë shqiptarët dhe do ta djegin librin e shenjtë Kuranin.

Nga Ministria e Brendëshme paralajmërojnë se do të jenë të pamëshirshëm ndaj të gjithë atyre personave që do ta prishin rendin dhe qetësinë publike.

Top Channel