Proçesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoni pritet të krijojë një tjetër krizë pasi shqiptarët e braktisën komisionin.

Sipas tyre, qeveria nuk po e respekton ligjin lidhur me caktimin e përfaqësuesve shqiptarë në komisionet lokale. Ata kërkojnë gjithashtu që të anulohet konkursi për regjistruesit pasi nuk respekton përfaqësimin e drejtë në rrafshin lokal dhe është i dëmshëm për shqiptarët.

“Komisioni Shtetëror për Regjistrim ka proccesuar disa akte të cilat nënkuptojnë mbivotim të vullnetit dhe të përcaktimit shqiptar. Pengesa kryesore ka qenë përfaqësimi në struktura etnike në rrafshin lokal në rajonet e regjistrimit. Pala maqedonase nuk dëshiron ta respektojë këtë detyrim”, tha zv.kryetari i komisionit, Abdylmenaf Bexheti.

Mosmarrëveshjet janë konfirmuar edhe nga vetë kryetarja e komisionit e cila ka bërë thirrje që përmes dialogut të tejkalohen çështjet kontestuese. Ndërkohë ka reaguar edhe zv.kryeministri i BDI-së, Abdylaqim Ademi.

“Deri më tani nuk bëhet fjalë për shtyrje të regjistrimit. Unë edhe njëherë apeloj të tejkalohen të gjitha mosmarrëveshjet të cilat ka hasur dhe shpresoj se ata do të gjejnë aftësitë për t’i tejkaluar ato”, tha zoti Ademi.

Proçesi parashikohet të mbahet nga data 1 deri më 15 prill. Sipas regjistrimit në vitin 2002 numri i shqiptarëve në Maqedoni është rreth 25 përqind e numrit të përgjithshëm të popullsisë në vend.

Top Channel