Forca ushtarake janë vendosur që prej mëngjesit në rrugët e Bengazit, qytetit të dytë më të madh të Libisë, lajmëroi Agjensia Franceze e Lajmeve “AFP”.
Ky reagim i autoriteteve vjen pasi disa mijëra persona protestuan gjatë natës, për vrasjen e më shumë se 20 protestuesve, që prej ditës së martë, kur nisi edhe vala e demonstratave antiqeveritare. Shumica e vrasjeve ndodhën në Bengazi.
Në një raport të publikuar më parë gjatë ditës nga organizata “Human Right Watch”, numri i saktë i të vrarëve vlerësohet të jetë 24 persona.
Libia është ndër vendet e fundit arabe të përfshirë në lëvizjet kryengritëse, që deri tani kanë sjellë rrëzimin e regjimeve represive të Egjiptit dhe Tunizisë.
Vendi drejtohet që prej më shumë se 40 vitesh nga gjenerali Muammar Gaddafi. Popullariteti i tij i madh ka penguar që protestat të përhapen në masë, por krahina e Bengazit është pikërisht ajo që kundërshton më shumë gjeneralin.
Top Channel