“Ishin një herë kampionët e Europës”, “Mafiozët italianë të Milanit”, apo “Milanimals” (lojë fjalësh për minimals), ishin disa prej titujve të gazetave angleze, të nesërmen e fitores së Tottenham-it në “San Siro”.
Suksesi i Spërsave në Champions League, me një gol të Peter Crouch në pjesën e dytë, mjaftoi që lojtarët e Harry Redknapp-it të fitonin etiketimin e “heronjve”, ndërsa mediat “vollën vrer” ndaj rivalëve për sjelljen e tyre në fushë.
”Heronjtë e San Siro-s”, “Bomba e Crouch” apo “Nata e netëve” ishin disa prej titujve që etiketonin suksesin e londinezëve, ndërsa të lavdëruar veçanërisht ishin dy protagonistët e golit, Aaron Lennon dhe Peter Crouch.
Përsa i përket Milan-it, sjellja e Gattuso-s që sulmoi ndihmësin e Redknapp-it në bankinë apo ndërhyerjet e egra të Flamini-së në fushë, u konsideruan si aspak të denja për këtë skuadër. “Turpi i Milanit”, titullonte “The Telegraph”, mbi foton e madhe të Gattuso-s duke kapur për fyti antarin e statit të Tottenham-it.
Edhe më të ashpra komentet në “Daily Mail”, që shkruante se “mafiozët e Milanit kanë shndërruar të gjithë britanikët në tifozët të Tottehham-it”.
Ndërkohë, shtypi italian zbuloi se cilat ishin fjalët e thëna në skocisht, që shkaktuan tërbimin e Gattuso-s. Sipas Mediaset-it, Jordan i pati thënë mesfushorit “ju bastardët italianë”.
34-vjeçari e flet rrjedhshëm skocishten, që nga periudha kur luante me Glasgow Rangers në fillimet e karrierës së tij.
Top Channel