Ministrja e Brendshme maqedonase, Gordana Jankulovska ka bërë të ditur se policia do të bëjë 60 kallëzime penale për pjesëmarrësit në trazirat në Kalanë e Shkupit.

Në një prononcim për mediat lokale, Jankulovska ka deklaruar se ditën e djeshme forcat e policisë kanë identifikuar edhe 30 persona të tjerë lidhur me incidentet.

Ajo është shprehur se deri tani në dikasterin e saj nuk ka ardhur asnjë kërkesë për një protestë të re, por ka paralajmëruar sanksione ndaj atyre që do të cënojnë rendin publik.

Incidentet në Kalanë e Shkupit nisën pasi shqiptarët e Maqedonisë kundërshtojnë ngritjen e një kishte brenda objektit, që ka prejardhje ilire.

Ky projekt është kritikuar edhe nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë, e cila ka akuzuar qeverinë se po përpiqet të fshijë historinë shqiptare.

Top Channel