Meksikë, vritet agjenti special amerikan

16/02/2011 22:05

Një grup vrasësish të karteleve të narkotrafikut në Meksikë ka vrarë dje një agjent special amerikan të Departamentit të Sigurisë së Brendshme.

Ngjarja ka ndodhur në Qytetin e Meksikos, ku si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur edhe një koleg i agjentit, që po udhëtonte bashkë me të.

Ata ranë në një pritë teksa po udhëtonin me automjetin e tyre nga kryeqyteti për në Monterrei, në kuadër të një misioni zyrtar.

Lajmin e ka konfirmuar sot guvernatori i San Luis Potosi, Fernando Toranzo, ndërkohë që sekretarja amerikane për Sigurinë e Brendshme, Janet Napolitano e ka cilësuar vrasjen si “një ngjarje të rëndë”.

“Agjentë amerikanë po bashkëpunojnë me autoritetet meksikane me qëllim që autorët e këtij krimi të padrejtë të arrestohen”, ka deklaruar Napolitano.

Agjencia tek e cila aderonin dy agjentët ka saktësuar se ata merreshin me cështje të lidhura me narkotrafikun nga Meksika drejt Shteteve të Bashkuara.

Vrasja e agjentit special, që koordinonte hetimet nga ambasada amerikane në Meksiko Siti, vjen një ditë pas vendimit të presidentit amerikan Barack Obama për të reduktuar ndjeshëm fondet për luftën kundër narkotrafikut dhe ndihmat ushtarake për Amerikën Latine, në vecanti për Meksikën dhe Kolumbinë.

Përgatiti: Genc Frashëri

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA