Ambasadorët e Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë po mbështesin gjithmonë e më shumë idenë e një zgjidhjeje të shpejtë të krizës në Shqiperi, brenda muajit shkurt, duke konsideruar si mjet presioni edhe masa ndaj Shqipërisë.
Në konsultimet e përjavshme mes tyre, të enjten e fundit, përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Europian kanë shkëmbyer mendime për mënyrën e zgjidhjes së krizës së rëndë që ka përfshirë vendin.
Burime diplomatike brenda takimit bëjnë të ditur se ambasadorët janë seriozisht të shqetësuar për fatin e zgjedhjeve lokale të datës 8 maj.
Të njëjtat burime, që preferuan të ruajnë konfidencialitetin, shprehen se ata u kanë kërkuar publikisht, por më së shumti në takimet që kanë patur kokë më kokë, kryeministrit dhe liderit opozitës të ulen dhe të bisedojnë pikësëpari për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, zgjedhje që kërkojnë urgjentisht edhe ndryshimet e duhura në ligj.
Deri tani është marrë një përgjigje pozitive nga ana e kryetarit të Partisë Socialiste për një takim të mundshëm, por ende pritet një përgjigje nga kryeministri, thanë burimet.
Si afat për nisjen e negociatave dhe arritjen e një marrëveshjeje është fundi i muajit shkurt. Në rast të kundërt ambasadorët, më saktë disa prej tyre, janë të mendimit se do të duhet t’i bëhet presion Shqipërisë se do të ketë pasoja, madje deri edhe masa ekstreme.
Në këtë linjë ngulmon më së shumti Hungaria, si vend që mban presidencën e Bashkimit Europian, e mbështetur nga Spanja dhe Greqia. Italia dhe Franca janë kundër kësaj ideje, ndërsa Gjermania ngulmon në një zgjidhje të shpejtë.
Në konsultimet e radhës mes përfaqësuesve të vendeve të Bashkimit Europian po konsolidohet ideja e ndërmarrjes së hapave të tillë që do të ndikonin në uljen e tensionit dhe nisjen e dialogut konstruktiv mes palëve.
Ambasadorët i druhen përkqësimit të situatës nëse zgjedhjet e 8 majit do të dështojnë apo do të kenë probleme. Sipas tyre, në këtë rast kriza politike do të thellohej dhe do përhapej.
Ky është momenti që ambasadorët duan të evitojnë duke përdorur si kartë edhe heqjen e vizave, masë e cila është komentuar edhe si një mënyrë për të mbrojtur vendet e Bashkimit Europian nga pasojat e ndonjë destabilizimi të vendit.
Top Channel