Ban Ki Moon është duke raportuar në Këshillin e Sigurmit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë.

Deri tani, shefi i OKB-së e ka vënë theksin tek kriza e zgjatur politike në Kosovë që prej dorëheqjes së presidentit Sejdiu.

“Ndjej keqardhje për bllokimin e institucioneve të Kosovës vitin e kaluar, gjë që shtyu dhe dialogun me Beogradin”, ka deklaruar Ki Moon.

Gjithashtu, ai ka folur edhe për reaksionin që shkaktoi raporti i senatorit Dick Marty, me akuzat ndaj zyrtarëve të lartë kosovarë për krime të rënda.

“Raporti i tij ka krijuar shqetësime dhe reagime. Të kërkohet dëshmi nga senatori zviceran, ose të hiqet dorë nga spekulimet”, ka thënë Ki Moon.

Sa për krimin e organizuar në Kosovë, sekretari i përgjithshëm ka vlerësuar koordinimin mes policisë së misionit EULEX, Policisë së Kosovës dhe KFOR-it për luftimin e tij.

Seanca e Këshillit të Sigurimit po ndiqet edhe nga një delegacion nga Prishtina, i cili megjithatë ndodhet në Nju Jork privatisht, pasi Kosova në OKB përfaqësohet ende nga UNMIK.

Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij Ki Moon ka shprehur shqetësimin për kërcënimet e Beogradit ndaj disa politikanëve serbë në Kosovë që dolën në zgjedhje.

Top Channel