Skema sociale gërryen buxhetin

15/02/2011 15:50

Qeveria u detyrua si asnjëherë tjetër që në vitin 2010 të ulë me 30 përqind investimet publike për të mbajtur nën kontroll financat e buxhetit dhe borxhin që rriti gjatë dy viteve 2008-2009.

Ky shkurtim i investimeve që ishte rreth 300 milionë dollarë lehtësoi përkohësisht buxhetin dhe financat publike duke rikthyer defiçitin në nivelet normale.

Por a ishin investimet e larta dhe borxhet e marrë për Durrës-Kukës shkaku i vetëm i përkeqësimit të financave.

Të dhënat zyrtare tregojnë se më shumë se sa investimet publike financat e qeverisë po kërcënohen nga një tjetër zë, që lidhet me skemën sociale.

Vitin e kaluar defiçiti i pensioneve dhe sigurimeve shëndetësore arriti rekordin 526 milionë dollarë ose gati 5 përqind të produktit kombëtar.

Ky është grafiku që tregon se si skema e kontributeve po gërryen buxhetin nga viti në vit.

Nëse të ardhurat që qeveria mbledh nga sigurimet shëndetësore dhe ato shoqërore rriten mesatarisht me 20 milionë dollarë në vit shpenzimet që ajo bën për pensionet dhe mjekimin e personave të siguruar apo barnat e rimbursueshme rriten 5 herë më shumë.

Nëse defiçiti i skemës do të vazhdojë të rritet me të njëtin ritëm, brenda pak vitesh, 1 miliard dollarë nga taksat e qytetarëve do fluturojnë çdo vit për të mbajtur në këmbë pensionet dhe spitalet.

Dhe ndryshe nga investimet publike, shpenzimet për pensionet dhe shëndetësinë, po u rritën nuk ulen dot më sipas dëshirës së qeverisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA