Prifti: Videon e regjistrova vetë

15/02/2011 13:55

Dritan Prifti doli para Këshillit të Imuniteteve jo vetëm për të deklaruar se është gati në çdo kohë të lërë imunitetin dhe të hetohet nga drejtësia. (UPDATE)

Dritan Prifti pohoi para organit të Kuvendit se videon, në të cilën
Prokuroria bazon akuzën kundër tij për korrupsion e ka xhiruar ai vetë
me të njëjtin qëllim si videon e parë, të bërë tashmë publike.

“Dua të deklaroj se videoja për të cilën më akuzojnë është filmuar prej meje për të provuar presionet, joshjet për korrupsion apo korrupsionin e Ilir Metës. Kjo video është mbi 35 minuta filmim dhe në të dalin një tufë faktesh të reja, që provojnë pothuajse të gjitha ato që unë kam thënë për të”, është shprehur Prifti.

Ai sqaroi pozicionin e tij rreth kësaj videoje, për të cilën Prokurorja e Përgjithshme thotë në kërkesën e saj për proçedim penal se është fshirë dhe tregon Dritan Priftin duke këmbyer me ish zëvendësministrin e Ekonomisë 70 mijë euro.

Sipas zotit Prifti, akuza ndaj tij për korrupsion pasiv do të ishte shmangur, nëse prokurorët do ta thërrisnin më parë në një seancë pyetjesh.

“Për dyshimin që shprehet në shkresën e prokurores se unë kam përfituar një sasi eurosh në mënyrë korruptive, ju them të gjithëve me garanci se më duhet vetëm një seancë e vetme në Prokurori për ta zbërthyer dhe vërtetuar çështjen dhe për të vërtetuar se faktet janë të gjitha ndryshe. Asnjëherë nuk kam marrë para për shkak të detyrës, asnjëherë nuk kam shpërdorur detyrën shtetërore. Unë jam larguar si ministër, sepse nuk kam pranuar të firmosë ato që kërkonin të fortët, favore të jashtëligjshme dhe gjëra të tjera si këto”, tha Prifti.

Ndërsa konstatimit të prokurores së përgjithshme se videoja është fshirë nga kompjuteri i dorëzuar si provë prej Dritan Priftit dhe që u rikuperua nga eksperti amerikan, nëpërmjet sistemit kompjuterik, zoti Prifti i përgjigjet kështu:

“Kur kam dorëzuar këto mjete në Prokurori, posaçërisht orën me kamera, prokurorëve, dhe ata mund të jenë dëshmitarë, nëse duan, u kam sqaruar se në atë kamer-orë ka patur video të tjera të regjistruara, të cilat për shkak të memories së kufizuar të kësaj kamere, janë fshirë për të regjistruar të reja. Por, sigurisht, që unë e kam në arkivin tim këtë video për të cilën më akuzojnë dhe nuk më ka shkuar në mendje kurrë për ta zhdukur atë, përveçse prisja momentin e duhur për ta shfaqur atë”.

Seanca me zotin Prifti zgjati vetëm 15 minuta përfshirë edhe dy pyetjet e vetme që iu bënë atij nga deputeti demokrat Ilir Rusmajli. Ndërsa 5 përfaqësuesit e Partisë Socialiste nuk i drejtuan asnjë pyetje zotit Prifti, i cili në një nga përgjigjet për Ilir Rusmalin tha se, videoja ku bazon akuzën kundër tij prokurorja e përgjithshme, përveçse, provon ato që ka thënë më herët për Ilir Metën, në gjykimin e tij nuk ka asnjë kundravjatje dhe asnjë vepër penale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA