Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, pas disa shqetësimeve që kishin ardhur pranë institucionit që drejton në lidhje me tregtimin e naftës bruto jashtë destinacionit ligjor dhe teknik për përdorimin e saj, urdhëroi ngritjen e menjëhershme të grupit të punës, për verifikimin e të gjitha shoqërive të tregtimit të naftës dhe nënprodukteve të saj.
Mësohet se Naço i ka kërkuar kryeinspektorit të IQT, Ardian Alushit, zbatimin me rigorozitet të ligjit nr. 8450, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”.
Dhe, në rast të konstatimit të shkeljeve do të zbatohen me rigorozitet të gjitha sanksionet që parashikon ligji, nga vendosje gjobë deri në heqjen e lejes së tregtimit apo të autorizimit përkatës për ushtrimin e veprimtarisë.
Po kështu, ministri Naço ka kërkuar edhe nga shoqëritë që operojnë në fushën e prodhimit të naftës bruto mbi bazën e marrëveshjeve hidrokarbure, të zbatojnë korrektësisht këto marrëveshje për të mos lejuar në asnjë rast tregtimin e prodhimit të tyre për t’u përdoruar si lëndë djegëse jashtë destinacionit ligjor dhe teknik.
Për kontrollin e kësaj veprimtarie u urdhërua që, përveç IQT, të angazhohen direkt edhe strukturat e AKBN brenda detyrave dhe kompetencave të tyre.
Top Channel