Policia e misionit EULEX, e mbështetur nga trupat e KFOR-it, ka zhvilluar mëngjesin e sotë një operacion kundër krimit të organizuar në Zubin Potok.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave gjatë këtij operacioni janë bastisur katër banesa dhe selia e një kompanie, si dhe janë arrestuar tre persona.

Burimet shtojnë më tej se personat në fjalë akuzohen për kontrabandë mallrash, evazion fiskal dhe shmangie të taksave doganore.

Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha për TCH se, në këtë operacion nuk është e përfshirë policia kosovare. Sipas tij, operacioni është kompetencë e plotë e misionit të BE-së dhe KFOR-it.

Në anën tjetër, zyrtarët e EULEX-it konfirmojnë se ky operacion është njëri nga hapat që ky mision dhe KFOR-i po ndërmarin për zbatimin e strategjisë për pjesën verore të Kosovës.

Por, incidentet në pjesën veriore të vendit duket se nuk kanë të ndalur. Rreth orës 5 të mëngjesit të së martës janë dëmtuar 7 autobusë në Leposavic.

Policia e Kosovës njofton se, shtatë autobusët ishin dëmtuar në një vendparkim. Sipas pronarit të autobusëve, dëmet janë të qëllimshme. Për këtë rast nuk ka ende asnjë të arrestuar.

Top Channel