Ministri i Ekonomisë Nasip Naco ka filluar procedurat për shkarkimin e sekretarit të përgjithsëm të kësaj ministrie, Durim Kraja, për shkelje me tenderat e koncesioneve në vitet 2008-2009.
Në njoftimin zyrtar të ministrisë thuhet se shkarkimi i zotit Kraja është bërë në përputhje me ligjin për statusin e nëpunësit civil, pas raporteve të KLSH dhe auditit të brendshëm të vitit 2008, por edhe dy raporteve të vitit 2009 në fushën e koncesioneve, ku të paktën njërin prej të cilëve ka deklaruar se e kishte urdhëruar ish-ministri Dritan Prifti, cka mesa duket legjitimon akuzat e tij për abuzime nga ish-ministri tjetër Genc Ruli.
Durim Kraja ka qenë kryetar i komisionit të vlerësimit të ofertave i emëruar nga ish-ministri Genc Ruli dhe në njoftimin për shtyp thuhet se shumë koncesione të dhëna gjatë këtyre 5 viteve mbajnë firmën e tij.
Ministria thotë se auditi i brendshëm do të vërtetojë të gjitha procedurat e kryera deri më tani me tenderat dhe cdo shkelje e konstatuar do t’i kalojë prokurorisë për hetim.
Ministria e Ekonomisë prej vitesh është një nga institucionet më të përfolura për abuzime me tenderat, sidomos ato për koncesionet në energjitike, ku një sërë shkeljesh u denoncuan edhe nga ish-ministri Dritan Prifti.
Por ajo që bie në sy është fakti se ndërsa është vënë në shënjestër për abuzime me koncesionet, ministri Ruli është marrë në mbrojtje nga kreu i mazhorancës dhe drejtues të tjerë të saj, ndërsa zoti Kraja ka shërbyer përvecse në katër vitet e tij edhe gjatë dy ministrave të LSI-së, i fundit zoti Meta.
Prandaj, edhe shkarkimi i tij, nga një tjetër ministër i LSI, në situatën aktuale ngjan më tepër si një sinjal për mazhorancën dhe ish-ministrat e saj në këtë dikaster, se sa për prokurorinë.
Top Channel