Projekti për ndërtimin e një kishe në Kalanë e Shkupit ka shkaktuar tensione në kryeqytetin maqedonas.

Brenda kalasë u mblodhën disa maqedonas për të mbështetur ndërtimin e kishës, ndërkohë që jashtë saj ndodheshin protestues shqiptarë të cilët kundërshtojnë nisjen e punimeve për ndërtimin e një kishe mbi kalanë e qytetit.

Situata është rënduar pas lejimit për futjen në brendësi të kalasë të protestuesve maqedonas, rreth 200 prej tyre, të cilët kanë nisur të sulmojnë me gurë protestuesit shqiptarë të lënë jashtë mureve të kalasë.

Por tensionimi i mëtejshëm ka ardhur kur protestuesit shqiptarë tentuan të futeshin me forcë brenda kalasë, por janë përplasur me policinë. Mësohet se disa shqiptarë kanë mbetur të lënduar nga këto përplasje mes të cilëve edhe pjesëtari i lëvizjes “Zgjodhu”, Artan Grubi.

Shqiptarët, kundërshtojnë ndërtimin e kishës në Kalanë e Shkupit, e cila sipas historianëve paraqet vlera arkeologjike e kulturore që nga periudha e ilirëve.

Top Channel