Në qarqet e sigurisë, i është kushtuar vëmendje e veçantë një lajmi të mbërritur këto ditë nga Greqia.

Në pakon-bombë që i mori jetën qershorin e vitit të kaluar një funksionari të lartë të Ministrisë së Brendshme greke, u gjetën gjurmët e gishtërinjve të Vasilis Paleokostas, mbreti i arratisjeve siç nisi të quhet pas largimeve spektakolare nga burgu i Koridhalosë.

Çështja ishte diskutuar edhe në muajin nëntor, por tani, me konfirmimin e policisë, është zyrtare.

Zhvillimet e reja konsiderohen një provë e lidhjeve mes krimit të organizuar dhe terrorizmit, skenar ku që mund të ekzistojë edhe në shtete të tjera europiane ku veprojnë grupe anarkiste aleate të atyre greke.

Një prej këtyre vendeve është dhe Italia. Paleokostas, legjendë tashmë në Greqi, është përfshirë në grabitje, sekuestrime personash e të tjera si këto.

Për dy herë me radhë ai arriti të largohet nga burgu i sigurisë së lartë në Koridhalo dhe të dy herët, në mes të ditës e me helikopter.

Arratisja e parë ndodhi në 2006-tën, e dyta në 2009-n. Gjatë proçesit gjyqësor kundër mikut të tij shqiptar, Alket Rizait, do të regjistrohej një moment shqetësues.

Kur gjykatësi lexoi vendimin e dënimit të tij me 25 vjet burg, Rizai reagoi duke thënë: “Do të keni lajme nga sekti revolucionar. Do ta shihni”.

Sipas policisë, ai mund t`i jetë referuar grupit “lufta revolucionare” të përfshirë në një seri atentatesh kundër institucioneve e të fajësuar për vrasjen e një gazetari, si dhe disa policëve e funksionarëve.

Besohet se Paleokostas vulosi një lloj pakti me anarkistët në vitet 95-96, në bazë të të cilit kanë kryer bashkë shumë goditje dhe kanë shkëmbyer edhe favore.

Top Channel