Qindra mijëra grekë cdo ditë e më shumë ngrenë zërin dhe protestojnë për pasojat e krizës që janë bërë të padurueshme për ta.

Sipas shifrave që publikon Instituti Grek i Statistikave, papunësia në vend ndodhet në nivelin më të lartë të shtatë viteve të fundit, duke kapur shifrën prej gati 14% të popullsisë aktive, pra rreth 700.000 vetë.

Brenda një viti është regjistruar një rritje e frikshme e papunësisë me 30% dhe mbi 160.000 grekë kanë humbur vendin e punës, ose e thënë ndryshe, gati 13.500 persona në muaj.

Masa më e madhe e të papunëve regjistrohet tek moshat deri në 34 vjec, në zonat kufitare me Turqinë, në lindje të vendit, por edhe ato në perëndim, në kufi me Shqipërinë, ku papunësia kap shifrat mbi 15 dhe 16%.

Për rritje të mëtejshme të saj flasin parashikimet e FMN-së dhe BE-së për vitin 2011, kurse Konfederata e Përgjithshme e Punonjësve të Sektorit Privat, GSSE, vlerëson se brenda këtij viti armata e të papunëve në Greqi do të kalojë shifrën prej 1 milion personash.

Gjithashtu, në nivele rekord është edhe rritja e cmimeve dhe inflacioni që ngelet prej më shumë se disa muaj në mbi 5.2%.

Është karakteristikë fakti që brenda një viti cmimi i benzinës u rrit me 42%, i naftës si lëndë djegëse me 30%, i cigareve me 20.3%, i energjisë elektrike me 10%.

Më e prekur nga rritja e pandalshme e cmimeve të artikujve ushqimore të konsumit të përditshëm është masa e pensionisteve.

Dje, xhiron e botës bënë pamjet dhe fotografitë e protestës së tyre, duke bërtitur para Parlamentit: “Të kenë turp ata që na qeverisin”.

Top Channel