Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Thommas Countryman, gjatë vizitës në Prishtinë i ka bërë thirrje klasës politike që qeveria e re të përbëhet nga elementë të pastër.

Duke folur pas takimit me kryeministrin Hashim Thaci, Countryman ka shprehur bindjen e tij se një gjë e tillë do të realizohet, duke qenë se e kërkojnë edhe qytetarët.

“Populli i Kosovës ka kërkuar dhe pret krijimin e një qeverie të pastër dhe të përkushtuar, që të ecë me hapa të shpejtë drejt zhvillimit dhe forcimit të shtetit”, ka deklaruar Countryman.

Ai ka theksuar se qeveria e re do të ketë një axhendë të ngjeshur, të fokusuar tek zhvillimi i ekonomisë, krijimi i vendeve të reja të punës, sundimi i ligjit dhe tek pavarësia e institucioneve.

Më tej, zyrtari amerikan ka dhënë garancinë e tij se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin dhe ndihmojnë Kosovën në të ardhmen.

Top Channel