Jeta e vështirë në fshat, më e stërmundimshme sesa në qytet i ka detyruar banorët e fshatit Zhegrës të Gjilanit të shtrojnë një kërkesë jo fort të zakontë. Jo vetëm për nostalgji, ata duan të kthehen pas në kohë, atëherë kur fshati i tyre ishte një komunë me funksione të plota.

Kërkesa të ngjashme për shndërrim në komunë kanë bërë në Ministrinë e Pushtetit Lokal edhe 6 fshatra të tjera nga pjesë të ndryshme të Kosovës.

Largësia me komunën e tyre aktuale, atë të Gjilanit, e sidomos urgjenca për rimëkëmbje ekonomike dhe natyrisht pengimi i shpërnguljes së banorëve janë disa nga arsyet që justifikojnë këtë kërkesë.

“Ka prej tyre që kanë në një distancë deri në 30 kilometra komunën e Gjilanit dhe besojmë se në komunën e Zhegrës do të ketë kushte shumë më të mira për ekzistencë dhe për mos t’u shpërngulur, sepse ne kemi pasur edhe një zbrazje të pakontrolluar të këtyre fshatrave, sidomos pas luftës”, është shprehur Nexhat Hajrullahu, përfaqësues i Iniciativës Qytetare të Zhegrës.

“Një punë e tillë është domosdoshmëri, pasi njerëzit kanë vështirësi që të shkojnë në komunën tjetër”, thotë Nezir Neziri, banor i Zhegrës.

Banorët thonë se plotësojnë kriteret e nevojshme për të qenë komunë.

Në Ministrinë e Pushtetit Lokal tregojnë arsyet përse nuk u janë përgjigjur kërkesave të këtyre banorëve dhe të fshatrave tjera.

“E para është që ne dëshirojmë të kemi një regjistrim të popullsisë dhe e dyta me ligjin për kufijt administrativë është rregulluar saktë se kur mund të krijojmë komuna të reja dhe një nga kushtet themelore është që në këto raste të realizohen referendume lokale”, deklaroi Besnik Osmani, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Sidoqoftë, për këto kërkesa mbetet të vendoset nga institucionet e reja shtetërore, që pritet të konstituohen.

E mes durimit dhe qendrës, banorët e Zhegrës janë në pritje që këtij lokaliteti t’i kthehet statusi i komunës që e kishte për pak kohë pas Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel