Përvjetori i tretë i pavarësisë së Kosovës do ta gjejë shtetin e ri pa institucione të reja. Kjo, pasi që para 17 shkurtit nuk do të konstituohet as Kuvendi e as qeveria e re, e po ashtu as presidenti i shtetit.

24 shkurti është data kur pritet të mbahet seanca e inaguruse e legjislativit të ri dhe si pasojë as qeveria e re nuk mund të formohet para kësaj date.

“Me dëshirën më të madhe do të ishte që Kosova t’i kishte më herët institucionet e reja, por realiteti është i tillë dhe ne dëshirojmë që konstituimin e institucioneve ta bëjmë brenda afatit kushtetues. Është e rëndësishme që shkurti ta përmbyllë”, ka deklaruar presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi.

Deklarata e Krasniqit vjen pas takimit të tij me kryesinë e Kuvendit të kaluar dhe subjekteve politike që do të përfaqësohen në Kuvendin e ri, si dhe në një kohë kur PDK ende nuk ka arritur marrëveshje zyrtare me ndonjë subjekt politik për bashkëqeverisje.

Në këtë seancë pritet të bëhet betimi i deputetëve të rinj dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit e nënkryetarëve të tij.

I pyetur në lidhje me paralajmërimet e lëvizjes Vetëvendosje, se deputetët e saj do të kenë një mënyrë të vëcantë për t’u betuar, presidenti në detyrë tha se beson që ata do të betohen sipas rregullave.

“Jam i bindur se edhe Vetëvendosja, që ka hyrë në këto zgjedhje me këtë Kushtetutë dhe me këto ligje, do t’i respektojnë sërish rregullat dhe ligjet që janë bërë pjesë e këtij Kuvendi”, ka pohuar Krasniqi.

Krasniqi, emri i të cilit po përflitet si i përkrahur nga disa deputetë të PDK-së për postin e presidentit të shtetit, tha se do të respektojë procedurat e partisë së tij, PDK-së, por nuk dha shpjegime nëse e dëshiron postin e të parit të shtetit.

Top Channel