Një naftëmbajtëse gjigante greke, e cila mbante naftë me vlerë 200 milion dollarë, është rrëmbyer nga piratët pranë brigjeve të Omanit.

Lajmin e konfirmuan burime zyrtare të qeverisë helene. Kompania athinase e transportit detar, Enesel, pranoi se ka humbur më parë gjatë ditës komunikimin me anijen Irene SL.

Naftëmbajtësja ishte duke udhëtuar për në gjirin e Meksikës, në momentin kur u sulmua. Edhe pse incidenti ndodhi shumë larg brigjeve të Somalisë, dihet se piratët operojnë edhe në atë zonë.

”Në mëngjes, mjeti u sulmua nga njerëz të armatosur”, shkruan Enesel në një deklaratë të botuar nga “Reuters”. “Për momentin, nuk kemi asnjë komunikim me mjetin”.

Sipas Ministrisë Greke të Marinës, naftëmbajtësja po transportonte 266 tonë naftë të papërpunuar. Në ekuipazhin prej 25 personash përfshihen shtatë grekë, 17 filipinas dhe një gjeorgjian.

Vetëm një ditë më parë, një naftëmbajtëse italiane u morr peng. Sipas burimeve të Bashkimit Europian, deri përpara këtyre dy incidenteve, 29 anije dhe një total prej 681 personash mbaheshin peng prej piratëve.

Somalia nuk ka një qeveri funksionale që prej vitit 1991.

Top Channel