Për më shumë se dhjetë orë janë përleshur banorët e komunës së Kerateas, një qytezë 40 km në juglindje të Athinës, me forcat e policisë që ruajnë një zonë ku do ndërtohet një impiant për zbrazjen e mbeturinave në këtë prefekturë.

Me dhjetëra bomba molotov janë hedhur nga protestuesit që u kanë vënë edhe zjarrin kazanëve të plehrave, ndërsa policia ka përdorur gazin lotësjellës. 13 qytetarë dhe 15 policë janë plagosur, sipas raportit të organeve të rendit.

Ka rreth 60 ditë që banorët e kësaj komune qendrojnë pas barrikadave të krijuara në rrugë, duke mos lejuar të fillojë ndërtimi i impiantit të ri të plehrave, pranë zonës së tyre të banimit.

Konfrontimet e djeshme kanë filluar kur forcat policore kërkonin persona që konstruktonin bombat molotov dhe që i përdorin më pas në protesta. Të paktën shtatë qytetarë janë shoqëruar në polici dhe 5 prej tyre janë arrestuar.

Nën një direktivë të Bashkimit Evropian, Greqia ishte e nevojshme të mbyllte 100 fusha të mbledhjes së mbeturinave deri në fund të vitit të kaluar, përndryshe do të përballej me gjoba të mëdha.

Tre prej këtyre fushave janë pranë vendit ku po ndërtohet impianti i ri në Keratea, për të cilin qytetarët pretendojnë se nuk janë ndjekur procedurat normale, ndërsa deklarojnë se do të vazhdojnë protestat e tyre.

Top Channel