Plot 600 miliardë euro, ose sa trefishi i githë depozitave në bankat greke, jane depozitat e shtetasve grekë në bankat zvicerane.

Shumica dërmuese e këtyre parave kanë prejardhje të dyshimtë, ndërsa depozituesit nuk i kanë deklaruar këto të ardhura në Greqi.

Bëhet fjalë për depozita në para kesh, monedha floriri, tituj bankarë, madje dhe diamantë.

Pronarët e llogarive bankare në fjalë nuk kanë paguar asnjë tatim për shumat e derdhura, madje në Greqi shumë prej tyre janë vetëdeklaruar në limitin e varfërisë.

Organet greke të krimit ekonomik kanë konstatuar disa raste depozitash prej punonjësve të sektorit shtetëror, deputetësh dhe biznesmenësh. Rastet e politikanëve të implikuar në aferë do t’i dërgohen drejtësisë.

Prestigjozia gjermane “Der Spiegel” përmend cështjet flagrante të dy ish-ministrave grekë, që nga hetimet e prokurorisë së Mynihut rezultoi të kishin përfituar miliona euro në këmbim të dhënies së tenderave dy kompanive gjermane.

Sipas “Der Spiegel”, mjafton që një pjesë e këtyre parave të riatdhesohen dhe Greqia do të mund të pakësojë barrën e rëndë të kredive dhe borxheve të marra për shpëtimin e ekonomisë së saj të falimentuar.

Lajmi i publikuar nga gazeta gjermane konfirmohet edhe nga burimet qeveritare greke. Sipas saj, problemi i depozitave greke në Zvicër është diskutuar në një takim që ka pasur kryeministri grek Jorgos Papandreu me presidentin zviceran në Davos pak ditë më parë.

Kjo është hera e parë që Zvicra pranon të japë informacione lidhur me depozituesit e parave në bankat e saj.

Analistët thonë se në këtë mënyrë evazorëve do t’u përcillet mesazhi i qartë “taskat duhen paguar”, ndërsa tregut bankar zviceran do t’i japë një goditje të rëndë.

Top Channel