Grupi drejtues ndërkombëtar, që përbëhet nga shtetet e mëdha që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, bën thirrje ndaj Prishtinës e Beogradit që të realizojnë një dialog të sinqertë, respektues e konstruktiv, “si dy shtete të pavarura e sovrane”, siç nënvizohet në deklaratën e përbashkët përfundimtare të takimit të mbajtur në Bruksel.

“Ne do të prisnim me padurim që BE dhe EULEX të përparonte në forcimin e shtetit ligjor në veri, pasi zgjedhjet në Mitrovicë dhe forcimi i shtetit ligjor mbeten gjithsesi sfida të rëndësishme të së ardhmes”, është shprehur Peter Feith, shefi i Zyrës Ndërkombëtare, në Kosovë.

“Ajo që është më e rëndësishme është se vijat e kuqe të Kosovës vazhdojnë të mbeten të kuqe edhe për vendet anëtare të grupit drejtues ndërkombëtar. Element dallues i këtij takimi ka qenë një artikulim mjaft i qartë i të gjitha vendeve anëtare për të ardhmen euroatlantike të Kosovës dhe për të gjetur një mënyrë për të vendosur marrëdhënie kontraktuale mes Prishtinës dhe Brukselit. Kosova nuk mund të mbetet vrimë e zezë në Ballkan, kjo është shumë e qartë për të gjitha vendet anëtare të grupit drejtues ndërkombëtar dhe që të gjitha do të lobojnë si grup që Kosova sa më parë të nisë dialogun për vizat dhe gradualisht të kalojë në faza më të avancuara në proçesin e integrimit evropian”, është shprehur Vlora Çitaku, zëvendësministre e Jashtme e Kosovës.

Delegacioni amerikan përfaqësohej në këtë takim nga zëvendës-ndihmëssekretari i Shtetit, Thomas Countryman.

Mesazhet e tij përpara këtij takimi për formimin e një qeverie të aftë e të përkushtuar brenda javës së ardhshme, janë përfshirë në konkluzionet përfundimtare të mbledhjes së Grupit Ndërkombëtar Drejtues.

 Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel