Në veri të Mitrovicës policia ka arrestuar tre qytetarë serbë të dyshuar për organizim dhe pjesëmarrje në sulmin fizik ndaj tre të rinjve të përkatësisë etnike shqiptare gjatë ditës së dielë. (UPDATE)

Arrestimi i tre qytetarëve serbë është bërë të dielën në mbrëmje rreth orës 19:30 min. Policia njofton se, të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit me urdhër të prokurorit publik.

Hetuesit policorë kanë bërë kontrollin e shtëpive të dyshuarve në kërkim të provave materiale. Dy njësi kompjuteri, janë marrë nga shtëpitë e të dyshuarve.

Tre të dyshuarit e arrestuar, janë marrë në pyetje nga hetuesit policorë, ndërsa kanë pranuar pjesëmarrjen e tyre në së paku një rast të sulmit fizik dhe shkaktimit të lëndimeve trupore më datë 4 shkurt 2011, në rrugën “Mbreti Petër”, në veri të Mitrovicës.

Policia njofton se, ka edhe dyshime të tjera ndaj personave që mund të kenë qenë pjesë e grupit, mirëpo detajet e reja priten të zbulohen gjatë zhvillimit të hetimeve.

Top Channel