Sipas gazetës “Koha ditore” në Prishtinë, Partia Demokratike e Kosovës ka gjasa ta ndërtojë koalicionin qeverisës vetëm me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe me shumicën e partive të minoriteteve, në rast se nuk ia garanton Aleancës Kosova e Re postin e Presidentit.

Ditën kur mes PDK-së dhe AAK-së është lidhur marrëveshja për qeverisje të Prizrenit, lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, i ka dërguar sinjale kreut të PDK-së se më përpara do të qëndrojë në opozitë sesa të heqë dorë nga marrja e Presidencës. Pa AKR-në, LDK-në dhe “Vetëvendosjen”, Thaçi mund të krijojë një koalicion me vetëm 67 ulëse në Kuvend.

Në rrethanat aktuale një koalicion i tillë nuk konsiderohet i qëndrueshëm.

I nominuari i PDK-së për Kryeministër të ardhshëm nuk do ta ketë të lehtë që t’ua plotësojë të gjitha kërkesat as drejtuesve të AAK-së, ndonëse këta të fundit kanë nisur të zbusin qëndrimet për një qeveri pa Thaçin Kryeministër.

Kreu i PDK-së e ka bërë të qartë se postin e Kryeministrit do ta mbajë për vete, kështu që AAK-së do t’i mbetet të zgjedhë mes Presidencës dhe Kuvendit.

Posti i Presidentit, megjithatë shihet si opsion më i mundshëm. Zyrtarë të lartë të PDK-së nuk e përjashtojnë mundësinë që në koalicionin qeverisës të përfshihen edhe deputetë të partive që janë përcaktuar të mbesin në opozitë.

Negociatat për qeverinë e re nisin zyrtarisht sot. Gjatë ditës, në Hagë pritet të takohen drejtuesit e AAK-së me kryetarin e kësaj partie, Ramush Haradinaj, për të marrë edhe bekimin e fundit për koalicionin.

Portali “Indeksonline” merr vesh se për t’i përmbushur orekset e partive në koalicion, Hashim Thaçi ka vendosur t’i shtojë edhe dy poste të zëvendëskryeministrit duke e shtuar në katër numrin e tyre, të cilët do të ndahen për partnerët e koalicionit.

Siç raportojnë mediat në Prishtinë, qeveria e ardhshme e Kosovës do të ketë 4 zëvendëskryeministra – një nga çdo partner i koalicionit, përkatësisht 1 nga AAK-ja, një nga AKR-ja dhe 1 nga minoritetet.

Kuptohet 1 zëvendëskryeministër do të jetë nga partia e mandatuar. Po sipas mediave, bisedimet zyrtare për koalicionin qeverisës do të nisin të martën në mbrëmje.

Top Channel