Kosovë, LDK pranon rezultatet

07/02/2011 17:50

Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar vendimin e KQZ-së për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, por ka vlerësuar se procesi i 12 dhjetorit ka qenë jo i ndershëm, jodemokratik, i manipuluar dhe i karakterizuar nga vjedhje masive të votave të qytetarëve.

“Dobësitë e manifestuara në këto zgjedhje vënë në dyshim legjitimitetin dhe besueshmërinë e institucioneve të Presidentit, të Kuvendit dhe të qeverisë së Kosovës”, thuhet në një komunikatë të LDK-së.

Partia në fjalë ka kërkuar që të ndryshohen sa më shpejt sistemi zgjedhor dhe legjislacioni në fuqi, për t’i hapur rrugën sipas saj, zgjedhjeve të rregullta, të cilat do t’ua kthenin legjimitetin dhe besueshmërinë institucioneve.

“LDK mbetet e përkushtuar që të punojë për fuqizimin e institucioneve të Kosovës, për sundimin e ligjit dhe që institucionet e pavarura të jenë vërtet të tilla”, thuhet më tej në komunikatë.

Top Channel