Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu deklaroi se ndryshimi i kombësisë nuk është një çështje as e pazareve politike dhe as e interesave të ngushta personale. (UPDATE)
Sipas tij, edhe pse ka një tendencë të fortë për ndryshimin e kombësisë, e vetmja mënyrë është ajo përmes organeve të gjyqësorit dhe vetëm me një vendim gjykate.
Pas deklaratave të bëra publike nga konsulli grek i Korçës për regjistrimin e popullatës, Spahiu theksoi se çështja e kombësisë nuk duhet të trajtohet në bazë të interesave materiale apo politike që cënojnë integritetin dhe se askush nuk mund ta imponojë zgjedhjen e kombësisë.
Këto deklarata ai i bëri pas një takimi në gjykatën e Korçës.
“Kam pasur, kam dhe do të kem bindjen se ndryshimi i kombësisë mund të bëhet vetëm me vendim gjykate të formës së prerë, por ai nuk mund të vijë as si pasojë e një pazari politik dhe as të një pazari monetar. Është e turpshme për një qytetar shqiptar të ketë turp për orgjinën e vetë, ndërkohë që duhet të jetë krenar për të”, është shprehur Spahiu.
Në bazë të të dhënave statistikore janë të paktën 192 kërkesa të regjistruara në dy vite për ndryshimin e kombësisë në Korçë.
Sipas Spahiut, ndryshimi i kombësisë mund të rrezikojë që në mënyrë artificiale të krijojë probleme serioze për organet e drejtësisë, por edhe për integritetin e vendit.
Top Channel