Hakmarrja ndaj Mubarak

07/02/2011 17:25

Protestuesit në Egjipt e kthyen një pjesë të zemërimit të tyre ndaj simboleve të shtetit, sic ishin stacionet e policisë apo edhe selia e partisë në pushtet të Hosni Mubarak, që u dogjën deri në themel.

Megjithatë, një pjesë e mirë e kësaj urrejtjeje iu rezervua një ndërtese moderne, me dritare të zeza në njërën prej lagjeve më të mira të Kajros, të cilën e dogjën plot tre herë.

Godina i përket manjatit të celikut Ahmed Ezz, njeri i afërt i djalit të Mubarak, Xhamal dhe me mjaft influencë në partinë Nacional-Demokratike.

Për shumë vjet, thotë “New York Times”, Ezz ka përfaqësuar ndërthurjen e parave, politikës dhe pushtetit. 52-vjecari kontrollon dy të tretat e tregut të celikut në vend, drejton si anëtar Parlamenti komitetin e buxhetit dhe i shërben me besnikëri partisë në pushtet.

Trazirat që po përjeton këto kohë Egjipti kanë trazuar edhe botën e tij. Ezz është vënë nën hetim për korrupsion, asetet e tij janë ngrirë dhe e drejta për të udhëtuar jashtë shtetit i është hequr.

Emri i milonerit është bërë pjesë e sloganeve të hedhura nga demonstruesit në sheshin Tahrir, duke u shndërruar në simbolin e gjithë asaj cfarë është e gabuar në qeverinë e Mubarak.

Ahmed Ezz i ka pirë gjakun këtij populli, citon “New York Times” një student të bashkuar me protestuesit në Kajro. Ai është njeriu i vetëm që mund të shesë celik në mbarë Egjiptin dhe me një cmim shumë më të lartë se kostoja reale.

Egjipti i Hosni Mubarak, vazhdon gazeta prestigjoze, ka funksionuar për një kohë të gjatë si shteti ku paratë blejnë pushtetin politik dhe ku pushteti politik sjell pasuri.

E ndërsa faktimi i qartë i asaj cfarë ndodh mbetet i vështirë, egjiptianët kanë parë të rritet një klasë e kamur ku korrupsioni mbetet endemik, e përfaqësuar në sytë e publikut nga një grup biznesmenësh të pasur të rreshtuar në krah të Xhamal Mubarak, bashkë me ministra e anëtarë të partisë së presidentit.

Në fakt, njerëzit përreth djalit të kreut të shtetit përbëjnë kastën e pasanikëve të vendit. Ata kanë monopolizuar gjithcka, thonë opinionistët. E sigurisht, në kushte të tilla, kush është në pushtet as që ka ndërmend të angazhohet vërtet për reforma politike.

Sipas disa vlerësimeve, pasuria e presidentit dhe familjes së tij është shumëmiliarda dollarëshe, ndonëse për këtë nuk ka konfirmime zyrtare.

Por një kabllogramë e vitit 2006, e publikuar nga Wikileaks dhe që ishte nisur nga ambasadori amerikan në Kajro, i referohet një raporti prej 274 faqesh të një grupimi politik opozitar në vend ku thuhej se akuzat për pasurimin e frikshëm të familjes Mubarak nuk janë vërtetuar, por zemërimi publik është rritur ndjeshëm.

Top Channel