Në gjendje alarmi vazhdojnë të jenë organet e rendit në Greqi, pasi vetëm në 14 muajt e fundit 685 të burgosur, 400 prej të cilëve shtetas shqiptarë, qarkullojnë ende të lirë pasi nuk janë kthyer më në burg pas lejes disaditore që kanë marrë.

Nga burimet policore të cilave ju referohet e përditshmja “Kathimerini”, bëhet fjalë për persona keqbërës, pjesëmarrës në krime të rënda si vrasje, vjedhje me armë e trafik lëndësh narkotike.

Sipas gazetës, vlerësohet se shumica e shtetasve shqiptarë që nuk janë kthyer më në burg, ose është larguar drejt Shqipërisë, ose vazhdon të jetë pjesëmarrëse aktive e veprave  kriminale.

Vetëm brenda disa muajve, prej 400 shtetasve shqiptarë që konsiderohen si të arratisur, janë arrestuar disa prej tyre në Selanik, Athinë dhe qytete të tjera, duke kryer vepra të reja penale si trafik droge, vjedhje bankash me armë e deri në konfrontim të armatosur me forcat policore.

Për 458 prej këtyre të burgosurve që nuk janë kthyer në qeli, janë dhënë edhe urdhër-arreste nga Europoli, prej të cilave 163 u përkasin shtetasve shqiptarë.

Shpeshherë në Greqi është kritikuar bashkëpunimi tepër i dobët i organeve të drejtësisë me organet e rendit, sidomos në cështjet e dhënies së lejeve për autorë që kanë precedentë të tillë kriminale.

Gjithashtu, drejtësia greke është problematike përsa i përket gjykimit dhe lirimit të personave me precedentë të tillë kriminaliteti.

Për përballimin e kësaj situate, policia greke ka filluar një bashkëpunim të ngushtë me policitë e vendeve të zonës Schengen dhe të vendeve fqinje, në mënyrë që të ndalohet largimi këtyre personave jashtë kufijve dhe të arrihet arrestimi i tyre.

Top Channel