
Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell ka deklaruar se vendosja e ligjit dhe rimëkëmbja e ekonomisë do të jenë sfidat kryesore të qeverisë së re kosovare.
“Kosova ka shumë sfida përpara si implementimi i pakos “Ahtisari”, tejkalimi i pavarësisë së mbikëqyrur, por mbi të gjitha vendosja e ligjit dhe të qënit të gjithë të barabartë para ligjit. Gjithashtu, duhet t’i kushtohet vëmendje rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës”, ka pohuar Dell.
Duke folur në një intervistë për VOA, diplomati amerikan ka përsëritur sugjerimin e tij që në ekzekutivin e ri të mos ketë politikanë të hetuar apo nën hetim.
“Është mirë të gjenden njerëz që janë të papërlyer dhe të jenë të gatshëm të punojnë për një qeveri efektive. Duhen parë cilësitë që përbëjnë një individ sesa një deputet”, është shprehur Dell.
Më tej ai ka saktësuar edhe se cili do të jetë roli i Shteteve të Bashkuara në bisedimet e ardhshme mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Ne do mbështesim BE-në në lehtësimin e dialogut. Ne jemi miq me BE-në, Serbinë e Kosovën dhe mendojmë se mund të luajmë një rol konstruktiv në këtë dialog, që synon të ndihmojë dy vendet të ecin drejt perspektivës evropiane”, ka sqaruar Dell.
Përsa i përket veriut të Kosovës, ai ka shprehur shpresën e tij që ky problem të zgjidhet pikërisht në bisedimet e reja mes dy vendeve.
“Veriu është dhe do të mbetet pjesë e Kosovës, por ka një shumicë serbe. Shpresoj që dialogu të krijojë kushte që serbët atje të bëjnë jetën që dëshirojnë”, ka shtuar Dell.
Top Channel