Rumania është shndërruar në shtetin kryesor të tranzitimit të qënieve njerëzore në Bashkimin Europian, lajmëroi CNN, në një speciale të transmetuar gjatë mbrëmjes.
Të mitur deri në 12-vjeçarë trafikohen në Rumani, nga destinacione si Hondurasi, Afganistani, Kongo dhe Kina. Ata transportohen më pas në Europën Perëndimore, ku përdoren për prostiticion, lypje, trafik organesh apo në aktivitete të tjera ilegale.
Pavarësisht se ligji rumun ndalon çdo lloj trafikimi, vija kufitare e gjatë, bashkuar me një polici të keqfinancuar, kanë bërë që vendi të shndërrohet në një parajsë për krimin e organizuar.
Bashkimi Europian vendosi si kusht mbrojtjen më të mirë të kufijve në aderimin e vendit në Union në vitin 2007, por masat kanë dështuar në mënyrë spektakolare.
Në raportin e Departamentit të Shtetit për trafikimin e personave për vitin 2010, shkruhet se edhe vetë shtetasit rumunë janë të ekspozuar ndaj trafikimit, pasi policët kufitarë janë lehtësisht të korruptueshëm dhe të thyeshëm ndaj presionit të krimit.
Sipas studimit të “Scarlet Cord”, një shoqate joqeveritare që merret me mbrojtjen e viktimave të trafikimit, deri në 75% skllaveve të seksit kanë hyrë në Bashkimin Europian kryesisht nga Rumania, por edhe Hungaria e Bullgaria.
Top Channel