Berisha mbledh Këshillin e PD-së

06/02/2011 16:25

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike është mbledhur plot një vit e dy
muaj pas zgjedhjes se tij nga kongresi i dhjetorit 2009, duke rikthyer
në selinë e Partisë Demokratike pas një mungese të gjatë edhe vetë
kryeministrin Sali Berisha. (UPDATE)

Gjatë fjalës se tij Berisha ka sulmuar sërish kryprokuroren Ina Rama në lidhje me zbardhjen e ngjarjes se 21 janarit që solli si pasojë vdekjen e 4 personave dhe plagosjen e shumë të tjerëve.

Duke u treguar këtë herë më i kujdesshëm me fjalorin kryeministri tha se nuk duhet konfonduar respekti për institucionet me personat që i drejtojnë ato, duke lënë të kuptohet se përplasja e nisur këtë herë drejtpërdrejtë me Presidentin, Prokuroren e Përgjithshme dhe kreun e SHSH do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, në një betejë që sipas kryeministrit do të nxjerrë të fituar demokracinë dhe jo puçistët e opozitës.

“Nuk konfondojmë dhe nuk do konfondojmë në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast, institucionet me personat. Në rastin konkret institucioni i akuzës dëshmoi se nuk kishte vullnetin ndaj dhe u bë e domosdoshme kërkesa për hetues dhe prokurorë nga vendet mike. Unë shpreh besimin e plotë për këtë proçes. Duhet t’u informoj ju, shqiptarët se çdo dy herë në ditë, shokë dhe shoqe të bulevardit po bëjnë gjithçka për të bllokuar këtë proçes. Kanë tmerr dhe frikë nga vepra e tyre”, deklaroi kryeministri Berisha.

Duke akuzuar treshen Rama, Ruçi, Gjinushi se arkitekte të grushtit të shtetit, kryeministri tha se Partia Socialiste për më tepër nuk po degjon as thirrjet e ndërkombëtarëve. Berisha sulmoi kreun e opozitës Edi Rama për Bashkinë e Tiranës.

“Ata që e kthyen Partinë Socialiste në parti dhune, e kthyen tani  në një mburojë të krimeve të tyre të shëmtuara”, tha Berisha.

Kryeministri kërkoi nga strukturat e Partisë Demokratike të nisin përgatitjet për përzgjedhjen e kandidaturave dhe e quajti të sigurtë fitoren në zgjedhjet e 8 majit në një përplasje siç tha ai mes puçistëve dhe ndryshimit epokal që ka sjellë koalicioni aktual me Partine Demokratike në krye.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar ra në sy mungesa e vetme, ajo e Çiljeta Xhilagës, e zgjedhur për herë të parë në këtë forum, ndërsa kanë marrë pjesë edhe ata që konsiderohen si zëra kritike brenda partisë.

Këshilli rrëzoi me votim të hapur një memorandum të propozuar nga Besnik Mustafaj, dokument që mori votat e vetëm zotit Mustafaj dhe zotit Gazmend Oketa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA