Pas një ndërprerje disa javore organizata Wikileaks ka rinisur publikimin e kabllogramëve të diplomacisë amerikane duke bashkëpunuar me gazetën “Daily Telegraph” pas ngrirjes së bashkëpunimin me “The Guardian”.

Në numrin e sotëm “Daily Telegraph” publikon një kabllogram që ka lidhje me monitorimin e punës së ambasadës të Kosovës në Londër nga diplomatët e ambasadës amerikane në kryeqytetin britanik.

Kabllogrami me mbishkrimin “Konfidencial” mban datën 27 maj 2009 nëpërmjet të cilit ambasada amerikane raporton rreth progresit të bisedimeve për të akredituar ambasadorin e Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti edhe si përfaqësuesin e Kosovës për Zelandën e Re.

Në pjesën e parë të kabllogramit raportohen proçeduarat e cilësuara si burokratike për aprovimin e Muhamed Hamit në këtë post.

Ndërsa pjesa e dytë dhe më interesante e këtij kabllogrami flet për përpjekjet e ambasadorit Hamiti nëpërmjet lobimit për të shtuar njohjen e vendeve që e njohin Kosovën si shtet.

Hartuesi i kabllogramit nënvizon optimizmin e ambasadorit Hamiti për njohjet e reja duke e cituar atë të ketë thënë se një njohje nga Arabia Saudite do të hapi derën për njohje të reja nga të tjera vende islamike.

Gjithashtu raportuesi amerikan shkruan se ambasadori Muhamet Hamiti shpresonte që vendet e konferencës islamike ta njohin pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, kjo do t’i shërbente forcimit të demokracisë në Kosovë.

Kabllogrami mbyllet me falenderimin e ambasadorit të Kosovës në Londër ndaj përkujdesjes amerikane dhe britanike veçanërisht në përpjekjet për ta afruar pozitivisht Beogradin drejt Prishtinës dhe stabilitetit rajonal.

Top Channel