Në tryezën e presidentit Gjorgje Ivanov të hënën do të mungojë vetëm Partia Demokratike Shqiptare.

Kreu i këtij subjekti Menduh Thaçi, vlerëson se takimet e liderëve duhet të thirren nga kryeministri Nikolla Gruevski, pasi Ivanov nuk ka legjitimitet për një gjë të tillë.

“Ivanovi nuk ka mandat për shqiptarët. E dyta, Ivanovi nuk është kërkushi në aspektin e forcës politike. Nikolla Gruevski është forca e vërtetë, mazhoranca e vërtetë e këtij shteti prej të cilit varen vendimet dhe ekzekutimet e kësaj qeverie”, është shprehur Thaçi.

Partitë tjera opozitare kanë konfirmuar pjesëmarrjen në tryezën e presidentit, ndonëse nuk presin rezultate nga ky takim. Nga Demokracia e Re, thonë se do të marrin pjesë vetëm sa për të dëshmuar se janë për dialog.

“Demokracia e Re nuk ikën nga dialogu politik, përkundrazi gjithnjë është angazhuar maksimalisht për ndërtimin e dialogut”, deklaroi Flora Kadriu, deputete e DR-së.

Takimin i liderëve vjen pas sugjerimeve të ndërkombëtarëve për tejkalimin e krizës politike që u shkaktua pas vendimit të opozitës për të bojotuar Parlamentin.

Jo zyrtarisht mësohet se opozita kthimin në Kuvend do ta kushtëzojë me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Top Channel