EULEX bastis në heshtje Transportet

05/02/2011 10:20

Për tre ditë rresht, policë të misionit EULEX kanë bastisur në mënyrë të qetë zyrën e shefit të Prokurorimeve në Ministrinë e Transporteve, Nexhat Krasniqi.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja kosovare “Koha Ditore”, sipas të cilës agjentët ndërkombëtarë kanë mbledhur dosje të shumta që kanë të bëjnë me tenderat e pesë rrugëve.

Sipas burimit, operacioni është zhvilluar në qetësi dhe larg syve të publikut, ndryshe nga bastisjet e mëparshme të zhurmshme që kanë tërhequr vëmendjen e të gjithëve.

E përditshmja shkruan se ndërhyrja u bë nga agjentë të veshur civilë, specialistë të krimit ekonomik, pas marrjes në pyetje të vetë Krasniqit.

“Koha Ditore” shton më tej se bastisje të tjera janë parashikuar të kryhen pasi të merret sërish në pyetje ministrin në ikje të Transporteve, Fatmir Limaj.

Top Channel