Një orë fjalim, në një ditë jo të zakonshme për mbledhjen e qeverisë, kryeministri Sali Berisha ka patur si kryefjalë vetëm turizimin. (UPDATE)
Në përpjekje për të rikuperuar imazhin e vendit, pas 21 janarit, kryeministri u ka kërkuar anëtarëve të kabinetit të tij të marrin masa emergjente, duke përfshirë edhe spotet ndërkombëtare dhe rajonale, në mënyrë që Shqipëria, e shpallur si një ndër destinacionet kryesore turistike botërore të jetë në lartësinë e duhur për të pritur turistët.
“Ato flakë që u ndezën për pushtet kanë dëmtuar pa diskutim thellë imazhin e këtij vendi, por, nga ana tjetër, dëshmuan forcën e hekurt të ligjit dhe institucioneve të këtij vendi. Jam i bindur se qytetarë nga mbarë bota do të gjejnë në këtë vend, siguri të plotë”, tha Berisha.
Për t’i dhënë një hov turizmit në vend, një nga kërkesat kryesore të kreut të qeverisë ishte gjetja e mënyrës për të kontraktuar ardhjen në Shqipëri, gjatë sezonit turistik, të një prej këngëtareve me famë botërore, që aktualisht pëlqehet më shumë nga rinia shqiptare.
Duhet të parashikohet që në sezonin turistik, të kontraktohet edhe një nga superstarët e muzikës botërore. Cilin apo cilën, atë do ta zgjidhni ju, por natyrisht duhet të jetë ai ose ajo që të rinjtë shqiptarë pëlqejnë më shumë, mund të jetë Amy Ëinehouse, Ledy Gaga, Shakira apo ndonjë superstar tjetër, këtë do ta përcaktoni”, deklaroi Berisha.
Në një orë fjalim, kryeministri Berisha u ndal gjatë edhe në vlerësimin për qytetarët, të cilët, sipas tij, po dëshmojnë çdo ditë se në vend të demonstratave të opozitës kanë zgjedhur normalitetin e jetës së tyre.
“Ju e patë vetë se çfarë braktisjeje i bënë qytetarët thirrjes së puçistëve, autorëve të premtes së zezë të këtij vendi. Kryeqyteti qëndron në krye të mbrojtjes së vlerave të lirisë dhe demokracisë. Dje, kryeqyteti përcolli me përçmim zjarrvënësit e tij të 21 janarit. Unë përshëndes edhe punonjësit e bashkisë, ku vetëm një pjesë e vogël marrin përsipër të bëjnë mercenarin dhe jo punonjësin civil, por në tërësi nuk dolën, i thanë jo kryetarit të tyre puçist në largim”, theksoi kryeministri.
Dhe duke shpallur zonat turistike që do të mbulojë çdo ministër për përgatijen e sezonit tursitik, të cilat përkojnë edhe me nisjen e fushatës për zgjedhjet lokale, kryeministri Sali Berisha bëri një grimasë jo vetëm të qeshur, kur i caktoi Tiranën ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, i cili konsiderohet si kandidati i pashpallur i demokratëve për Bashkinë e Tiranës.
“Ministri i Brendshëm Tiranën, zoti ministër je përgjegjës për Tiranën”, tha Berisha.
Top Channel