Për herë të dytë brenda 7 ditësh, Miroslav Lajcak, I dërguari i shefes së diplomacisë europiane, Catherine Ashton, shprehu në Tiranë shqetësimin e Bashkimit Europian se situata në Shqipëri është në rrezik të vazhdueshëm për përshkallëzimin e dhunës dhe thellimin e krizës politike. (UPDATE)
Këtë shqetësim, i dërguari i baroneshës Ashton e shprehu edhe pas takimit me presidentin, Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.
Hetimi i 21 janarit në mënyrë të pavarur nga institucionet kushtetuese ishte mesazhi i parë që dha zoti Lajcak.
“Jane dy gjera qe duhet te zgjidhen; së pari, e vërteta e 21 janarit, dhe kur them “ne”, kam parasysh insitucionet shtetërore të Shqipërisë, që kanë përgjegjësinë kushtetuese për të kryer një hetim të tillë dhe që të sigurojnë se ky hetim është i balancuar, është gjithëpërfshirës, dhe kushdo që është përgjegjës për dhunimin e ligjit, të përgjigjet para drejtësisë. Rreth hetimit, unë dua të them edhe një herë se duhet të jenë insitucionet e Republikës së Shqipërisë ato që duhet të kryejnë hetimet. Komisioni parlamentar mund të ndihmojë, por jo të zëvendësojë një hetim të tillë gjithëpërfshirës. Pra, mund të jetë plotësues, por jo zëvendësues. Sigurisht, ne kemi besim se insitucionet tuaja do të kryejnë hetimin për të zbuluar të gjthë të vërtetën për atë që ndodhi me 21 janar. Prandaj, le të lejojmë institucionet përgjegjëse shtetërore të merren me këtë hetim dhe në të njëjtën kohë ne presim nga udhëheqësit tuaj politikë të fokusohen në cështje jetike për të ardhmen e vendit tuaj”, tha Lajcak.
Por cilat janë këto cështje jetike, që Bashkimi Europian u ka propozuar dy udhëheqësve politikë, për të ecur përpara, ndërsa hetimi për 21 janarin vazhdon?
“Para së gjithash duhet të ndërmerren hapa konkrete që të mos ketë përshkallezim të situatës. Së pari, jo dhunë, jo retorikë nxitëse. Respekt të plotë për shtetin ligjor dhe institucionet e këtij shteti. Së dyti, nevojitet rinisja e dialogut politik mes koalicionit qeveritar dhe opozitës, ashtu sic ndodh në vendet e tjera europiane. Ky dialog duhet të përqendrohet në përgatitjen e zgjedhjeve lokale, të cilat janë caktuar të mbahen më 8 maj dhe që duhen zhvilluar në atë mënyrë, që t’i jepet botës një mesazh i fortë pozitiv. Se treti, duhet të merreni seriozisht me rekomandimet e Komisionit Europian për vendin tuaj. Ato jane 12 rekomandime që duhet të adresohen në nivel politik dhe kërkon përfshirjen e si të qeverisë edhe të opozitës”, vijoi i dërguari i BE-së.
Ndërsa i pyetur nëse Bashkimi Europian i shikon si zgjidhje zgjedhjet e parakohshme, zoti Lajcak dha këtë përgjigje:
“Kjo është një pyetje për qytetarët tuaj dhe për parlamentarët tuaj, jo për mua”, tha Lajcak.
Përpara se të largohej nga Shqipëria, duke siguruar shqiptarët për ndihmën e Bashkimit Europian, i dërguari i Brukselit kishte edhe një mesazh një ditë përpara demonstratatve të opozitës.
“Duke qenë se opozita ka paralajmëruar demonstrata të tjera, do të doja ta shfrytëzoja këtë rast për t’i kërkuar qytetarëve shqiptarë të jenë, të sillen me qetësi dhe me përgjegjshmëri dhe të mos lejojnë që këto demonstrata të shndërrohen në provokime, aq më tepër në dhunë”, apeloi Lajcak.
Top Channel