Statistika shokuese ka publikuar Ministria e Mbrojtjes së Qytetarit në Greqi përsa i përket numrit të emigrantëve ilegalë që janë kapur gjatë vitit 2010 në territorin grek.

Sipas shifrave të këtij raporti, policia vendase ka arrestuar përgjatë vitit të kaluar 132.500 emigrantë të paligjshëm dhe 1150 trafikantë të qenieve njerëzore.

Por ajo që komentohet negativisht nga shtypi grek është fakti se prej tyre 50175 janë shqiptarë, në një vit kur Shqipëria ka shënuar rritje ekonomike.

Ndërsa pjesa tjetër janë nga Afganistani, nga Pakistani, palestinezë dhe shtete të tjera të Azisë apo Afrikës.

Numri më i madh i hyrjes së emigrantëve regjistrohet nga kufijtë me Turqinë, rreth 47 mijë vetë, ndërsa nga kufijtë tokësore me Shqipërinë kanë hyrë pothuajse 34 mijë persona.

Pjesa tjetër ka përdorur kufijtë detarë apo mënyra të tjera të emigracionit ilegal.

Një rekord tjetër negativ është edhe fakti se prej 1150 trafikantëve të arrestuar gjatë 2010-s, 363 janë shqiptarë, në vend të dytë vijnë grekët me 183 vetë dhe më pas janë irakianët dhe turqit.

Duhet theksuar se numri i emigrantëve ilegalë të arrestuar dhe të riatdhesuar, është shumë më i vogël sesa ata që nuk arrestohen dhe jetojnë në mënyrë të paligjshme në vend.

Ky është edhe shkaku kryesor që është rritur si asnjëherë më parë ksenofobia në Greqi, çka vërtetohet në sondazhet e shumta në shtypin vendas, ku shumica e grekëve kërkon dëbimin e emigrantëve të huaj.

Top Channel