Kryeminsitri në largim Hashim Thaçi nuk ka arritur të realizojë një nga premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore. Mbi 60 mijë shërbyes civilë në Kosovë, punonjës të shëndetësisë, policisë dhe arsimit kanë pritur më kot gjatë ditës së hënë për marrjen e pagës së rritur.

Por kur po afrohej ora 16:00 kohë kjo kur institucionet bankare mbyllen dhe orari zyrtar i punës përfundon, qeveria e Kosovës dha lajmin e hidhur, se vendimi për rritjen e pagave nga 30-50 përqind për punonjësit kosovarë nuk do të ekzekutohet, të paktën jo për muajin janar dhe shkurt.

Arsyeja për këtë, sipas qeverisë, është stërzgjatja e proçesit zgjedhor gjë që vonoi edhe miratimin e buxhetit të Republikës së Kosovës.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave Bedri Hamza tha se vendimi për rritjen e pagave mbetet në fuqi, por se shuma që duhet të shtohej nga ky muaj do të merret pas miratimit të buxhetit.

Kjo konferencë e zotit Hamza u mbajt pas një takimi të gjatë të kryeministrit Hashim Thaçi me përfaqësuesit e sindikatave në Kosovë të cilët të zhgënjyer nuk pranuan të prononcoheshin për media.

E teksa qeveria insiston në bazën legale të vendimit, burime zyrtare brenda qeverisë pranuan se mos ekzekutimi i vendimit në këtë kohë vjen si pasojë e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar.

Në fakt njohësit e çështjeve ekonomike kishin paralajmëruar se ekzekutimi i këtij vendimi çon vendin drejt një krize të thellë financiare, i cili edhe vetëm si i premtuar po sjellë pasojat e veta.
 
Kostoja e parë është rritja e çmimeve dhe e dyta është se nëse vendimi anulohet, atëherë do të shfaqen pakënaqësitë e kategorive që ja u kemi premtuar”, është shprehur Lumir Abdigjiku.

Top Channel